Barnier për Brexitin: Ekziston një "linjë e hollë” për arritje të marrëveshjes në samitin e BE-së

Evropë

Barnier për Brexitin: Ekziston një "linjë e hollë” për arritje të marrëveshjes në samitin e BE-së

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 18:08
Disa britanikë duke protestuar kundër procesit të Brexitit, foto nga arkivi

Ekziston një “linjë e hollë” për të arritur marrëveshje për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian këtë javë, mirëpo fillimisht të dyja palët duhet të pajtohen për të gjitha detajet deri në fund të ditës së martë, ka thënë negociatori i bllokut evropian për Brexit, Michel Barnier.

Ai ka thënë se është koha që “qëllimet e mira të kthehen në tekst ligjor”, nëse liderët evropianë mbështesin kushtet e largimit të Britanisë, në një samit që do të mbahen të enjten.

Në kohën kur po shtohen bisedimet, kryeministri britanik, Boris Johnson ka folur me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Sipas BBC-së, të dy liderët janë pajtuar se samiti po ndodh “në një moment pozitiv”, mirëpo ende ka shumë gjëra që duhen tejkaluar.

Kryeministri britanik ka thënë vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga blloku evropian më 31 tetor, ndonëse ai është i detyruar me ligj të kërkojë shtyrje të datës për finalizim të Brexitit, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri të shtunën.

Deputetët britanikë janë thirrur që të jenë pjesë e seancës speciale të shtunën, më 19 tetor meqë kjo ditë konsiderohet vendimtare për procesin e Brexitit.

Parlamenti britanik është mbledhur vetëm në katër të shtuna nga viti 1939, duke përfshirë 2 shtatorin e atij viti, si pasojë e nisjes së Luftës së Dytë Botërore.

Pasi ka biseduar me ministrat evropianë, Barnier ka thënë se pret nga Britania e Madhe të dorëzojë dokumentin me ndryshime, pasi marrëveshja e arritur për Brexit, tashmë është refuzuar tri herë nga deputetët britanikë.

Ai ka kërkuar dokumentin e marrëveshjes të përditësuar, në mënyrë që liderët e BE-së të kenë kohë për të analizuar atë, para samitit dyditor që fillon të enjten.

Ai ka thënë se ekziston një “linjë e hollë” për marrëveshje pasi synimi i BE-së është që të mbrojë një treg të vetëm, ndërkohë që Johnsson tenton të mbajë Irlandën Veriore në kuadër të territorit britanik të doganave.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat