Polonia shkel me reformën në drejtësi ligjin në BE - Bota Sot
Polonia shkel me reformën në drejtësi ligjin në BE

Evropë

Polonia shkel me reformën në drejtësi ligjin në BE

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 12:57
Foto ilustrim

Ligji polak për pensionimin e detyrueshëm të gjyqtarëve në trupat gjykues shkel ligjin e BE. Kjo u vendos nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg.

Sipas Seksionit të Madh, Polonia shkel detyrimet që ka sipas ligjit të BE, sepse për femra dhe meshkuj që punojnë si gjyqtarë ose prokurorë në Poloni ka futur mosha të ndryshme pensioni.  Shkelje e së drejtës në BE është gjithashtu ulja e moshës së pensionit për gjyqtarët në gjykata, duke i dhënë në të njëjtën kohë Ministrit të Drejtësisë kompetencën për të zgjatur shërbimin aktiv të këtyre gjyqtarëve.

Gjykata i dha të drejtë me këtë vendim padisë për shkeljen e marrëveshjeve të BE të ngritur nga Komisioni Evropian. Komisioni, i cili mbikqyr respektimin e ligjeve të BE në bashkësinë ndërkombëtare, ka ngritur një padi kundër qeverisë konservatore të krahut të djathtë në Varshavë për shkak të rregullave juridike.

Vendimi është gjithashtu një hap pas për Ministrin polak të Drejtësisë Zbigniew Ziobro.

Reformim i gjerë i gjyqësorit

Partia në pushtet në Poloni PiS që prej vitit 2015 ka reformuar me disa ligje gjyqësorin dhe tani, sipas kritikëve, ia ka nënshtruar atë vetes. Në rastin konkret në vitin 2017, ajo imponoi ndër të tjera, rregulla të reja mbi pensionin për gjyqtarët në gjykata. Në vend të moshës 67 vjeçare, gratë duhet të dilnin në pension në moshën 60 vjeç dhe burrat në moshën 65 vjeç. Përjashtime mund të autorizojë vetëm Ministri i Drejtësisë.

Komisioni Evropian e pa këtë si shkelje të ndarjes së pushteteve, si dhe të barazisë midis meshkujve dhe femrave dhe ngriti padi para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Më vonë, në vitin 2018 qeveria polake e ndryshoi rregulloren. Ndër të tjera, ajo kufizoi kompetencat e Ministrit të Drejtësisë dhe e ngriti moshën e pensionit të grave në 65 vjet. Autoriteti i Brukselit megjithatë iu përmbajt edhe më tej padisë.

Komisioni i BE tani duhet të verifikojë nëse Polonia ka respektuar vendimin me ndryshimet e vitit të kaluar. Po të mos jetë bërë kjo nga këndvështrimi i autoriteteve të Brukselit, Komisioni mund të paraqesë përsëri padi para GJED.

Humbje e mëtejshme juridike e Polonisë

Në një proces tjetër për reformën e drejtësisë së Polonisë tashmë është marrë vendimi - bëhet fjalë për pensionin e detyruar të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë të Polonisë. GJED vendosi në qershor që rregulli shkelte ligjet e BE-së.

Përveç kësaj, në vitin 2017 Komisioni i BE-së filloi kundër Polonisë një procedurë për të konstatuar nësee e ka shkelur Polonia shtetin ligjor të në kuptimin e nenit 7 të Traktateve të BE. Kjo procedurë shkon shumë më larg se një proces gjyqësor para GJED. Në fund, një shteti të prekur mund t'i hiqet përkohësisht e drejta e votës në BE. Sidoqoftë, kjo produrë deri tani thuajse nuk ka përparuar./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat