Kryetari i Londrës u bën thirrje banorëve të mos e përdorin transportin publik - Bota Sot
Kryetari i Londrës u bën thirrje banorëve të mos e përdorin transportin publik

Evropë

Kryetari i Londrës u bën thirrje banorëve të mos e përdorin transportin publik

Më: 11 maj 2020 Në ora: 12:16
Kryetari i Londrës, Sadiq Khan.

Kryetari i Londrës në Britaninë e Madhe, Sadiq Khan, u ka kërkuar njerëzve që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos e përdorin transportin publik, pas njoftimit të qeverisë për lehtësime në masat e izolimit.

Ai i tha BBC-së, se të hënën, ka pasur një rritje prej 10% në përdorimin e transportit të metrosë në Londër, krahasuar me të njëjtën kohë javën e kaluar.

"Mesazhi kryesor nga kryeministri mbrëmë dhe unë sot është që të mos përdorin transportin publik - transporti publik është vetë për punëtorët thelbësorë", tha ai.

Kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, u bëri jehonë fjalëve të tij.

Ai këshilloi banorët që të jenë "shumë të kujdesshëm".

Më 10 maj, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave.

Në një konferencë për media në Londër, Johnson shpalli disa prej masave që do të lehtësohen, duke filluar nga kjo javë.

Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, tha ai.

Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.

Johnson, në muajin prill ishte infektuar me koronavirusin e ri, dhe kishte qëndruar disa ditë në kujdes intenziv.

"Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore", tha Johnson.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat