Rritet numri i tradhtarëve rusë, FSB arreston protestues

Evropë

Rritet numri i tradhtarëve rusë, FSB arreston protestues

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 12:15
FSB

Mediat ruse njoftojnë se të martën me 7 korrik, janë arrestuar 24 protestues, të cilët po protestonin para selisë së Shërbimit inteligjent rus-FSB. Protestuesit po protestonin pas arrestimit të këshilltarit të kreut të Roskosmos, ish-gazetarit Ivan Safrano, i cili ishte arrestuar nga pjesëtarët e FSB-së nën akuzën për tradhti ndaj shtetit.

Protestuesit, në mesin e të cilëve kishte gazetarë, ish-kolegë të Safranov, kërkonin lirimin e tij, duke u shprehur se arrestimi kishte të bënte me shkrimet kritike të Safranov, ndaj pushtetit sa punonte si gazetar.

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe prezantuesja televizive, Ksenia Sobchak, e cila ishte edhe kandidate për zgjedhjet presidenciale ruse. Sobchak kishte veshur një fanellë me mbishkrimin “Liri për Ivan Safronov”.

Mësohet se pos Sobchak, policia ruse kishte arrestuar edhe korrespodentët e “Bell”, Anastasia Sogney dhe “Kholod”, Yulia Dudkina.

Gjatë protestës pos arrestimit të protestuesve kishte edhe të lënduar, ku në mesin e të lënduarve ishte korrespondentja e “MBX Media”, Anastasia Olshaanskaya, e cila pasi ishte shtyrë nga policia kishte rënë përtokë, duke goditur me kokë një bllok graniti dhe sipas mjekëve kishte pësuar tronditje në kokë.

Sipas korrespodentit te “Novaya Gazeta”, edhe në Shën Petersburg ishte zhvilluar një tubim në mbështetje të Safronov. Në tubim ishin parë edhe asamblistët e qytetit, Maxim Reznik dhe Boris Vishnevsky.

Ndërkaq, gjatë kohës sa protestohej kundër arrestimit të Ivan Safronov, ishte mbajtur seanca gjyqësore kundër Safranov. Seanca me kërkesë të FSB-së, nën arsyetimin e ruajtjes së sekreteve shtetërore, kishte qenë e mbyllur për publikun dhe mediat. Gjykatësi hetues kishte marrë vendim që Safronovit t’i shqiptohet masa e paraburgimit në afat prej dy muajve.

Avokati i Safranov insiston që gjykimi të jetë publik dhe se klienti i tij akuzohet për transferim të të dhënave sekrete ushtarake tek Shërbimet inteligjente Çeke, që destinacion përfundimtar i tyre ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë viteve të fundit në Rusi vërehet një rritje e arrestimeve të nëpunësve civil, shkencëtarëve dhe gazetarëve nën akuzën për tradhti. Sipas një hulumtimi gjatë 20 viteve të fundit në Rusi, 100 persona janë dënuar për tradhti dhe spiunazh, 278 persona për zbulim të sekreteve shtetërore ndërsa 5 persona për qasje të paligjshme në sekretet shtetërore. Sipas hulumtimit shtetasit rus gjykohen sipas nenit për tradhti të lartë, ndërsa shtetasit e huaj gjykohen sipas nenit për spiunazh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat