Propozimi i BE-së për migrimin ngjall rezistencë

Evropë

Propozimi i BE-së për migrimin ngjall rezistencë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 07:46
Ilustrim

Bashkimi Evropian shpalli të mërkurën një propozim të shumëpritur për të rishikuar politikën e migrimit dhe azilit dhe për të krijuar një sistem të detyrueshëm në të gjithë bllokun prej 27 anëtarësh lidhur me trajtimin e imigracionit.

Pas shumë vitesh përçarjeje midis vendeve anëtare rreth mënyrës së reagimit ndaj fluksit të migrantëve, shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e quajti propozimin një "zgjidhje evropiane për të rivendosur besimin e qytetarëve".

Sipas planit të mbështetur nga Gjermania, të 27 vendeve të BE-së do t'u kërkohet që, bashkë me shtetet e tjera, ose t’i pranojnë azilkërkuesit, ose të marrin përsipër dëbimin e migrantëve dhe refugjatëve, kërkesat e të cilëve për azil refuzohen.

Qëllimi i përgjithshëm është të lehtësohet presioni mbi vendet mesdhetare të bllokut, kryesisht mbi Italinë dhe Greqinë, dhe të ndihmohen ato në aspekte të tjera. Por, thonë analistët, miratimi i planit nga të 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së nuk është i garantuar dhe qysh tani po shfaqen kundërshtime ndaj propozimit.

Kancelari austriak Sebastian Kurz hodhi dyshime mbi idenë e shpërndarjes së azilkërkuesve në të gjithë Evropën. "Nuk do të funksionojë," i tha ai agjencisë së lajmeve AFP.

Një tjetër përpjekje

Në të kaluarën, përpjekje të shumta për të reformuar politikën e BE-së për migracionin kanë dështuar, kryesisht për shkak të rezistencës nga një pjesë e vendeve anëtare, kryesisht të Evropës Qendrore ndaj çdo shpërndarjeje të detyrueshme të azilkërkuesve. Komisionerja e Punëve të Brendshme të BE-së Ylva Johansson u tha gazetarëve këtë javë se ajo pret rezistencë të ashpër nga Hungaria, Polonia dhe disa shtete të pasura të Evropës Veriore, por shpreson që kundërshtimet të kapërcehen, duke u dhënë të 27 vendeve të BE-së "mundësi elasticiteti" për mënyrën e pjesëmarrjes.

"Duhet të përqendrohemi te mjetet se si mund ta menaxhojmë migrimin në një mënyrë të rregullt dhe mendoj se kjo është ajo që qytetarët evropianë kërkojnë nga ne," i tha ajo televizionit Euronews disa orë para se hollësitë e propozimit të bëheshin publike. "Migrantët janë si ti dhe si unë, janë burra e gra, djem e vajza, ata kanë mendime të ndryshme, kanë përvoja të ndryshme dhe janë qenie njerëzore prandaj duhet të trajtohen kështu," shtoi ajo.

Duke shpallur planin, Ursula von der Leyen tha se ai do të "rindërtojë besimin midis vendeve anëtare" dhe se do të vendosë "ekuilibrin e duhur midis solidaritetit dhe përgjegjësisë". Propozimi i ri do të zëvendësojë gjithashtu të ashtuquajturin rregull i Dublinit, i cili kërkonte që kërkesat e azilit të trajtoheshin në vendin e BE-së ku mbërrinin për herë të parë aplikantët.

Propozimi i ri parashikon që azilkërkuesit të dërgohen nga zyrtarët e BE-së në vendet e ndryshme bazuar në lidhjet familjare, arsimin ose punën që ata kanë bërë, ose faktin nëse kanë patur një vizë të lëshuar në të kaluarën nga një vend anëtar. Zyrtarët e BE-së thonë se ata shpresojnë që plani t'u japë fund grindjeve midis vendeve anëtare mbi migracionin që u shfaqën për herë të parë në vitin 2015, kur kontinenti u përmbyt nga një valë migrantësh.

Rezistenca

Por ka pak shenja që tregojnë se pakti mund t'u japë fund grindjeve të hidhura mbi migracionin apo se mund të frenojë shndërimin e tij në një çështje politike shkatërruese. Udhëheqësi hungarez Viktor Orban e tha qartë këtë javë se ai nuk ka ndërmend të bëjë kompromis dhe të pranojë azilkërkuesit e zhvendosur. Ai e ritheksoi më tej mosmiratimin e tij në një shkrim të ashpër për gazetën e djathtë, Magyar Nemzet, në të cilën tha se ekziston një ngërç midis Evropës Qendrore dhe Lindore konservatore nga njëra anë dhe shteteve liberale të Evropës Perëndimore nga ana tjetër, një mosmarrëveshje që ai nuk e di se si mund të kapërcehet.

"Liberalët e ngathët nuk shohin asnjë arsye për të pasur frikë nga një përmbytje me imigrantë," shkruante ai, duke shtuar se "vendet e Evropës Qendrore kanë zgjedhur një të ardhme tjetër, pa imigrim dhe migrim".

Zyrtarët hungarezë thonë se vështirë që Budapesti të pranojë të përfshihet në deportimin e azilkërkuesve të cilëve u është mohuar kërkesa, duke thënë se pranimi i migrantëve që janë caktuar për t’u deportuar do të ishte thjesht migrim nga dera e pasme. Ata thonë se shumica e azilkërkuesve të cilëve nuk u plotësohet kërkesa nuk dërgohen kurrë në vendin e tyre, për shkak të problemeve procedurale, mungesës së dokumentacionit ose për arsye se vendet e tyre refuzojnë t'i marrin apo t’i ndihmojnë.

Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia, u kanë rezistuar politikave të BE-së për kuotat e pranimit të migrantëve që nga viti 2015, kur gati dy milion njerëz, refugjatë dhe azilkërkues, kryesisht nga Afrika dhe Lindja e Mesme, mbërritën në brigjet e Evropës. Ngurruese kanë qenë edhe disa vende të Evropës Veriore.

Për propozimin e ri po ngul këmbë sidomos kancelarja gjermane Angela Merkel. Ai ka marrë urgjencë shtesë pas zjarrit në fillim të këtij muaji në kampin e mbipopulluar Moria të migrantëve, në ishullin grek Lesbos. Zyrtarët gjermanë thonë se 10 vende evropiane kanë rënë dakord të pranojnë 400 të mitur të pashoqëruar që u larguan nga kampi.

Numri i azilkërkuesve që arrijnë në brigjet e Evropës është shumë më i ulët se në vitet e mëparshme. Këtë vit kanë mbërritur deri tani rreth 55,000 njerëz, të cilët kërkojnë strehë nga konfliktet ose një jetë më e mirë. Arsyeja e rënies së numrit qëndron kryesisht tek një marrëveshje e vitit 2016 midis Turqisë dhe BE-së.

Sipas marrëveshjes së vitit 2016, Turqia ra dakord për të mos lejuar azilkërkuesit të udhëtonin me rrugë tokësore ose me anije drejt Evropës, në këmbim të pagesave të konsiderueshme me para në dorë. Por pas rritjes së tensioneve midis Turqisë dhe vendeve të BE-së është e paqartë nëse kjo marrëveshje do të vazhdojë në të ardhmen./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat