Presidenti “shkarkon” Kushtetuesen, ktheu ligjin anti-korrupsion

Evropë

Presidenti “shkarkon” Kushtetuesen, ktheu ligjin anti-korrupsion

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 22:31
Foto ilustrim

Ukraina përballet me një krizë të re politike, shkruajnë mediet vendase. Presidenti Volodimir Zeleski po shqyrton shpërndarjen e Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të kësaj të fundit për për të ngrirë reformat anti-korrupsion që janë ndërmarrë.

Ky veprim i Presidentit erdhi pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të anulojë pjesët kryesore të legjislacionit anti-korrupsion që Ukraina miratoi më herët nën kërkesat e vazhdueshme të Perëndimit.

Gjykata e cilësoi antikushtetues aksesin publik në deklaratat elektronike të të ardhurave të zyrtarëve, dhe gjithashtu ndaloi dënimin kur një zyrtar jep informacion të rremë për të ardhurat.

Në vendimin e tyre, që u botua të Mërkurën, gjykatësit vendosën gjithashtu që t’i heqin Agjencisë Kombëtare të Parandalimit të Korrupsionit shumicën e kompetencave të saj kryesore.

Zelenski, një ish-komedian pa përvojë paraprake politike, u zgjodh në post, në prill të 2019-ës, me premtimin për të çrrënjosur korrupsionin endemik në vend. Ai kritikoi ashpër vendimin e gjykatës, duke paralajmëruar se mund t’i kushtonte vendit mbështetjen perëndimore.

Presidenti i ka kërkuar parlamentit ta deklarojë të pavlefshëm vendimin e gjykatës, gjë që sipas analistëve vendas e çon Ukrainën në një terren të panjohur ligjor, pasi as presidenti dhe as ligjvënësit nuk kanë fuqi të heqin anëtarët e gjykatës.

Tre vjet më parë, më 30 tetor 2017, Ukraina i dha goditjen e parë serioze korrupsionit. Atëherë u vendos procesi i deklarimit të parë elektronik të pasurisë. Mijëra zyrtarë kryen një inventar të të gjithë pasurisë së tyre, duke përfshirë edhe pasurinë e të afërmve të tyre.

Ukrainasit u tronditën me zbulimet: qindra miliona dollarë, pasuri të patundshme luksoze, toka, veshje të shtrenjta, makina dhe ora, koleksione pikturash… Të gjithë, natyrisht, e dinin se biznesi më fitimprurës në vend ishte pushteti politk, por mediet vendase shkruajnë se publiku u trondit nga shkalla e korrupsionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat