‘Ndalojeni këtë përbindësh!‘: E sulmuan, Inzkon, dush i ftohtë për Çoviqin e Dodikun nga Perëndimi

Evropë

‘Ndalojeni këtë përbindësh!‘: E sulmuan, Inzkon, dush i ftohtë për Çoviqin e Dodikun nga Perëndimi

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 09:16
Dragan Çoviq e Milorad Dodik

Krerët e partive kroate dhe serbe në pushtet në BeH, Dragan Çoviq dhe Milorad Dodik, kritikuan ashpër veprimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në vend, Valentin Inzko, të martën, por e vetmja gjë që ata arritën të merrnin ishte mesazhi që vendet më të rëndësishme perëndimore mbështesin mandatin dhe punën e diplomatit austriak.

Kryetari i HDZ-së së BeH-së Çoviq dhe i Aleancës së Socialdemokratëve të pavarur (SNSD) Dodik kritikat në llogarinë të Inzkos i bënë ndërsa merrnin pjesë në një debat në internet të organizuar nga ambasadori rus në Kombet e Bashkuara Vasily Nebenzja me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjeve të Dejtonit.

Kryetari i Partisë së veprimit demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq, ishte gjithashtu i ftuar si pjesëmarrës, por ai refuzoi ftesën dhe paralajmëroi në një letër për Nebenzjan se anëtarët e Kryesisë së BeH-së dhe jo udhëheqësit e partive duhet të merrnin pjesë në një debat të tillë, shkruan Jutarnji.hr.

Ambasadori rus të martën shprehu keqardhje për refuzimin e Izetbegoviqit, duke shtuar se ideja ishte të dëgjohen përfaqësuesit e tre partive kryesore që përfaqësojnë tri kombet, duke këmbëngulur se është e nevojshme të ruhet Marrëveshja e Dejtonit në formën e saj aktuale, sepse çdo qasje tjetër do të minonte stabilitetin në Ballkan.

Si një nga pjesëmarrësit e ftuar, Inzko tha se Dejtoni duhet të respektohet plotësisht, e kjo do të thotë përkushtim i qartë për ruajtjen e integritetit territorial të BeH-së.

Ai tërhoqi vërejtjen se politikë e kundërt ndiqet më së shpeshti nga Republika Srpska dhe përkujtoi se kriminelët e dënuar të luftës si Radovan Karaxhiq glorifikohen sot në atë etnitet.

Në fjalimin e tij, Çoviq akuzoi Inzkno se raportet e tij të rregullta gjashtëmujore në Këshillin e Sigurimit të KB-ve ishin "të mangëta dhe sipërfaqësore" dhe nuk paraqisnin pamje të vërtetë të situatës në Bosnjë dhe Herzegovinë.

Ai e qortoi Inzko për mos përmendjen në raportet e tij të çështjeve që HDZ-ja BeH-së i konsideron të diskutueshme, si mënyra e zgjedhjes së anëtarit kroat të Kryesisë së BeH-së.

"Nuk ka kuptim real të problemit dhe pastaj ka mungesë të një qasje të përshtatshme për pjekjen demokratike dhe një perspektivë të vetë-qëndrueshme," tha Çoviç, i cili përdori edhe këtë rast për të argumentuar se çështja më e rëndësishme në BeH është ndërrimi i ligjit zgjedhor.

"Reformat e Ligjit zgjedhor janë të nevojshme në mënyrë që zgjedhjet 2022 të mbahen në mënyrën e duhur dhe për këtë do të punohet në gjashtë muajt e ardhshëm," njoftoi Çoviq.

Në fjalimin e tij, Dodik ishte shumë më i ashpër, duke e përshkruar Inzko si një "përbindësh që urren serbët".

"Ndaloni këtë përbindësh që po përpiqet të na imponojë vendime që nuk ishin vendosur në Marrëveshjen e Dejtonit ... Ai po hakmerret ndaj serbëve dhe kroatëve në BeH," tha Dodik, duke paralajmëruar se Republika Sërpska "do të shqyrtojë fillimin e integrimit me vendin e saj amë Serbinë" nëse Inzko vazhdon të veprojë. në mënyrën e tanishme.

Ai arriti në përfundimin se Kroacia, si dhe Serbia dhe RS dhe një pjesë e Federatës, duan që OHR të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur.

Pas këtij fjalimi, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Gjermanisë në KB, Gunter Sautter, reagoi duke thënë se në vend të dialogut të pritur, ai dëgjoi vetëm monologje të mbushura me sulme personale ndaj Inzkos.

"Ne e falënderojmë Inzkon për punën e tij në ruajtjen e paqes dhe pajtimit në segmente të ndryshme të shoqërisë, ne vazhdojmë t'ju mbështesim ju dhe zyrën tuaj. Ne mirëpresim punën e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së dhe gjykatësve ndërkombëtarë (në të). Përvoja e tyre është thelbësore për krijimin e një gjyqësori në përputhje me Dejtonin. Sulmet verbale dhe gjuha e papërshtatshme kundër gjykatës nuk duhet të tolerohet", tha Sautter.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë gjithashtu mbështetën Inzkon dhe dënuan në mënyrë të qartë sulmin e Dodik ndaj tij.

"Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Valentin Inzko, është i nevojshëm që ai vend të ruajë paqen dhe të marrë vendime të rëndësishme. Ne mbështesim fuqimisht ekzistencën e atij institucioni," tha Richard Mills, zëvendësambasadori i ShBA-së në OKB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat