Holanda pezullon adoptimet e fëmijëve nga jashtë vendit pas abuzimeve të shumta në procedura

Evropë

Holanda pezullon adoptimet e fëmijëve nga jashtë vendit pas abuzimeve të shumta në procedura

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

Holanda ka pezulluar të gjitha adoptimet nga jashtë vendit pasi një hetim zyrtar ka zbuluar abuzime të shumta proceduriale.

Hetimet ishin fokusuar në adoptimet nga vende si Bangladeshi, Brazili, Kolumbia, Indonezia e Sri Lanka nga viti 1967 deri në 1998.

Ministri i mbrojtjes sociale Sander Dekker tha se qeveria kishte dështuar prej vitesh në ndërhyrjen e saj.

Abuzimet kryesore ishin ‘imponim’ apo pagesa ne para për nënat biologjike që të jepnin fëmijët e tyre.

Komisioni hetues tha se zyrtarët holandezë ishin në dijeni të shkeljeve dhe në disa raste ishin edhe ata të përfshirë në abuzime, por nuk kishte gjetur prova konkrete abuzimi.

Dekker shtoi se zyrtarët prej vitesh kishin mbyllur njërin sy ndaj abuzimeve.

“Qeveria nuk ka bërë atë që pritej prej saj në parandalimin e abuzimeve, dhe ky është një konstatim i dhimbshëm. I ofroj të adoptuarve ndjesën tonë dhe të kabinetit”, tha ai.

Një grua holandeze që tashmë po kërkon prindërit e saj biologjikë në Indonezi, mirëpriti vendimin e qeverisë, duke thënë se sistemi në gjendjen aktuale kishte nxitur trafikimin e fëmijëve.

45 vjeçarja Widya Astuti Boerma, tha se “adoptimet në Holandë bazohen në nxitjen me para dhe kjo procedurë motivon trafikimin”.

Jerome Wirawan tha për BBC se më shumë se 3,000 fëmijë indonezianë janë adoptuar nga  holandezët në dekadën deri në vitin 1984, kur vetë Indonezia e kishte ndaluar praktikën. Indonezia, ish-koloni holandeze, shpalli pavarësinë prej saj në vitin 1945.

Dekker tha se kabineti i ardhshëm qeveritar duhet të vendosë se si të procedohet me adoptimet nga jashtë.

Të dhënat e agjencisë Mijn Roots tregonin se Holanda kishte adoptuar në vitet 1981 deri në 1992 fëmijë nga këto vende:

  • Sri Lanka – 2,972 femije
  • Kolumbia – 2,132
  • India – 1,517
  • Korea e Jugut- 1,323
  • Indonesia – 1,252

Ndërsa në vitet 1971-1980, vendet kryesore nga vinin fëmijët e adoptuar ishin Korea (2,317); Indonezia (1,788) e India (865).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat