Gjermanët reagojnë pas kufizimeve ndaj vaksinës AstraZeneca

Evropë

Gjermanët reagojnë pas kufizimeve ndaj vaksinës AstraZeneca

Më: 31 mars 2021 Në ora: 20:21
AstraZeneca

Në Gjermani, zyrtarët e shëndetësisë kanë rënë dakord që të kufizojnë pëdorimin e vaksinës AstraZeneca tek popullsia nën moshën 60-vjeçare. Vendimi vjen ndërsa janë ngritur shqetësime të reja lidhur me mpiksjen e pazakontë të gjakut tek një numër i vogël njerëzish që morën vaksinën.

Në një qendër vaksinimi në Leipzig, mendimet e njerëzve ishin të ndryshme lidhur me marrjen apo jo të vaksinës AstraZeneca apo për të kërkuar vaksina të prodhuara nga një tjetër kompani farmaceutike.

“Personalisht do ta merrja vaksinën AstraZeneca. E kuptoj që disa njerëz ndihen të pasigurtë, dhe kryesisht gratë pasi problemi tek ato është më i madh. Ka shumë zhurmë që i bën njerëzit të ndjehen të pasigurtë”, thotë një burrë në qendrën e vaksinimit.

Një grua që sapo u injektua tha se ishte e lumtur që asaj i ishte dhënë vaksina Pfizer-BioNtech.

“Rreziku do të kishte qënë shumë i lartë që unë të kisha mpiksje gjaku. Ndaj jam e lumtur që mora një vaksinë tjetër”.

Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn dhe zyrtarë shtetërorë ranë dakordqë vaksina AstraZeneca të përdorej tek moshat mbi 60-vjeçare, me përjashtim të rasteve kur ata i përkasin një kategorie të rrezikut të lartë nga koronavirusi. Në këto raste, pacientët duhet të kenë rënë dakord me mjekun e tyre për të marrë vaksinën, pavarësisht rrezikut të vogël nga një efekt serioz anësor .

Disa rajone gjermane-përfshi kryeqytetin Berlin dhe shtetin North Rhine-Westphalia, që ka popullsinë më të lartë në vend, kishin marrë vendim qysh në orët e para të së martës për të pezulluar imunizimin e moshave të reja me vaksinën AstraZeneca.

Zyrtari më i lartë i shëndetësisë në Berlin, Dilek Kalayci, tha se vendimi u mor si një masë paraprake, pasi rregullatori mjekësor i vendit njoftoi 31 raste të mpiksjes së rrallë të gjakut tek individët që kishin marrë vaksinën kohët e fundit.Nëntë prej tyre humbën jetën. Deri tani në Gjermani janë administruar rreth 2.7 milion vaksina AstraZeneca./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat