VOA jep detaje për vrasjen e gazetarit të njohur

Evropë

VOA jep detaje për vrasjen e gazetarit të njohur

Më: 9 prill 2021 Në ora: 21:36
Policia greke, prill 2021

Dy njerëz të armatosur në motoçikletë vranë të premten një gazetar të njohur grek pranë shtëpisë së tij në Athinë, njoftoi policia.

George Karaivaz, një gazetar karriere i televizionit privat STAR TV, ishte i njohur në audiencën greke për mbulimin e ngjarjeve që lidheshin me rendin dhe me policinë.

Ende nuk ka njoftime rreth një motivi të mundshëm për vrasjen, por policia tha se vrasja ishte planifikuar me kujdes.

"Vrasja e një gazetari është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një koment në Twitter.

"Evropa është për lirinë. Dhe liria e shtypit është ndoshta më e shenjta nga të gjitha," tha ajo.

Policia tha se gazetari u vra të premten pasdite nga dy njerëz në motoçikletë, të cilët qëlluan me breshëri plumbash afër shtëpisë së tij në Alimos, në jug të Athinës. Të paktën 12 gëzhoja u mblodhën nga vendi i ngjarjes, tha një zyrtar i policisë.

"Ishte një atentat profesional," tha zyrtari i policisë, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të bënte deklarata për median.

Zëdhënësja e qeverisë greke Aristotelia Peloni tha se vrasja "na tronditi të gjithëve".

"Autoritetet po hetojnë për të arrestuar autorët dhe për t'i sjellë para drejtësisë," tha ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat