Rizgjohet optimizmi në Evropë me intensifikimin e vaksinimeve

Evropë

Rizgjohet optimizmi në Evropë me intensifikimin e vaksinimeve

Më: 21 prill 2021 Në ora: 21:31
Evropë

Pas një fillimi të ngadaltë, Bashkimi Evropian ka intensifikuar përpjekjet e vaksinimit kundër COVID-19. Shpërndarja këtë javë e vaksinës së firmës Johnson & Johnson që kërkon një doze të vetme po e shton intensitetin e imunizimeve, ndërkohë që ky kontinent është përballur me ritme të larta infeksioni me koronavirus.

Fushata e vaksinimeve në BE mbetet ende shumë larg ritmeve të imunizimit në Britani ose në Shtetet e Bashkuara. Mesatarisht 1 në 5 vetë në bllokun me 450 milionë banorë kanë marrë dozën e tyre të parë – ose sa gjysma e përqindjes së imunizuar në Shtetet e Bashkuara. Por zyrtarët evropianë thonë se kanë hyrë në një fazë të re.

“Në tremujorin e parë të vitit 2021 vetëm 10% e gjermanëve arritën të bënin një dozë të parë për shkak të mungesës së vaksinave," tha Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn këtë javë. "10 përqindshin tjetër e arritëm në vetëm tre javë”.

Franca festoi disa suksese në fushatën e vaksinimit kohët e fundit, duke përfshirë vaksinimin me të paktën një dozë praktikisht të 100% të 700,000 banorëve të shtëpive të të moshuarve në vend.

Italia, Hollanda dhe vendet e tjera mbeten të përqëndruara në zbatimin e planeve për të filluar imunizimet me vaksinën Johnson & Johnson, ose i kanë filluar tashmë vaksinimet me këtë vaksinë kandidate, pasi agjencia rregullatore e ilaçeve e BE-së i hapi të martën dritën jeshile përdorimit të kësaj vaksine, megjithë shqetësimet për një lloj të rrallë të mpiksjes së gjakut të regjistruar në një numër jashtëzakonisht të vogël të të vaksinuarve në Shtetet e Bashkuara.

"Shifrat tani janë inkurajuese," tha Manfred Weber, anëtar gjerman i Parlamentit Evropian, duke shtuar se BE-ja duhet të jetë në gjendje t'i ofrojë çdo qytetari një vaksinë deri në fund të verës.

"Nëse arrihet kjo, atëherë besoj se shumë evropianë do të thonë, ‘Ishte rrugë e vështirë; gjërat nuk shkuan mirë në fillim. Por në fund të fundit ne evropianët do të jemi kontinenti i parë që do të vaksinohet plotësisht'," tha ai.

Shtimi i ritmeve të vaksinimit vjen ndërsa vendet në të gjithë Evropën përballen me një rritje të infeksioneve që e ka çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të koronavirusit në BE në afro 30 milionë, ndërsa vdekjet tejkaluan kohët e fundit shifrën 660,000, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Spitalet në shumë vende evropiane janë përsëri të mbingarkuara, duke trajtuar pacientë gjithnjë e më të rinj me COVID-19 të rëndë, pasi banorët më të moshuar përfitojnë nga vaksinat.

Zyrtarët kanë thënë se tani dominojnë variante më ngjitëse të virusit. Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi kohët e fundit: "Praktikisht tani kemi një pandemi të re."

Fushata e vaksinimit në Evropë ka hasur pengesa të përsëritura, duke përfshirë vonesat e prodhimit, mëdyshje në lidhje me efektivitetin e vaksinës AstraZeneca dhe shqetësimet për efektin anësor të mpiksjes së gjakut, që ka hedhur hije mbi vaksinën AstraZeneca. Të dyja vaksinat, Johnson & Johnson si dhe AstraZeneca kanë marrë mbështetje për herë të dytë nga autoritetet evropiane, të cilat thonë se përfitimet e imunizimit kundër COVID-19 tejkalojnë ndjeshëm rreziqet.

Kancelarja Merkel tha të mërkurën se vendimi i BE-së për të blerë bashkërisht vaksinat për të gjithë 27 anëtarët e bllokut, i kritikuar ashpër në disa qarqe si braktisje e përgjegjësisë nga shtetet individuale, kishte parandaluar "një konkurrencë brutale nga vendet më të mëdha, më të forta dhe ndoshta më të pasura kundër atyre më të vogla".

"Do të kishte pasur një potencial të madh shkatërrimtar" brenda BE-së, tha ajo.

Ministri gjerman Spahn tha se ritmi i vaksinimeve do të vazhdojë të rritet gjatë tremujorit të dytë. Gjermania me rreth 83 milionë banorë po administron rreth gjysmë milioni doza në ditë nga e hëna në të premte, ose rreth pesë doza çdo sekondë. Kohët e fundit Gjermania filloi të ofrojë vaksinime në klinikat private të rreth 55,000 mjekëve. Kjo nënkupton se gjermanëve nuk u kërkohet më të shkojnë në qendra speciale për vaksinim.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili u akuzua për nxitje të skepticizmit në lidhje me vaksinën AstraZeneca pasi fillimisht e quajti atë "pothuajse joefektive", këtë javë u bëri thirrje qytetarëve të lënë mënjanë mëdyshjet për këtë vaksinë, pasi Agjencia Evropiane e Mjekësisë e deklaroi të sigurtë.

Ka pasur shenja sporadike se vaksina AstraZeneca ka hasur në vështirësi për të rifituar besimin e disa prej evropianëve që kualifikohen për t’u vaksinuar, si për shembull francezëve 55 vjeç e sipër.

Media franceze raportoi se një klinikë vaksinimi në qytetin mesdhetar të Nisës kishte në disponim 4,000 doza të vaksinës AstraZeneca gjatë fundjavës së kaluar, por vetëm 58 vetë u paraqitën për t’u vaksinuar. Klinika u detyrua të mbyllte punën herët të shtunën. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë insistojnë se shembuj të tillë nuk përfaqësojnë prirjen e përgjithshme.

Italia filloi të mërkurën të dërgonte në klinikat rajonale të vaksinimit 184,000 doza të vaksinës Johnson & Johnson që mbaheshin në magazina. Polonia dhe Luksemburgu kanë filluar imunizimet me vaksinën Johnson & Johnson, ndërsa Hollanda dhe Republika Çeke pritet të fillojnë këtë javë.

Të ndeshur me ritmet e larta të infektimeve të reja, vendet anëtare të BE-së po ndërmarrin një sërë hapash për të frenuar përhapjen e virusit ndërsa presin që vaksinimet të arrijnë një nivel kritik.

Ligjvënësit gjermanë miratuan të mërkurën kufizime uniforme që të futen në zbatim kur virusi po përhapet shumë shpejt, të njohura si “frenat emergjente” duke zëvendësuar masa jouniforme të marra në mënyrë individuale në secilin nga 16 landet gjermane.

Zonat ku ka më shumë se 100 raste të reja javore për 100,000 banorë do të përballen me orën policore, kufizime më të rrepta në kontaktet e drejtpërdrejta dhe mbylljen e dyqaneve, muzeve dhe objekteve sportive.

Image
Protestat në Gjermani

Mijëra vetë protestuan kundër këtyre planeve para parlamentit gjerman në Berlin.

Vende të tjera iu përgjigjën presionit publik duke lehtësuar kufizimet e vëna gjatë pendimisë, ndërkohë që popullata po shprehet gjithnjë e më e lodhur dhe e irrituar nga këto masa.

"Po shohim tensionin midis realitetit të zymtë aktual në spitale dhe në të njëjtën kohë parashikimet e matura, optimiste," tha të martën kryeministri i përkohshëm holandez Mark Rutte, në njoftimin se javën e ardhshme do të hiqen kufizimet kohore për lëvizjen dhe se baret dhe kafenetë do të lejohen të rifillojnë aktivitetin në mjediset e hapura në orët e pasdites për herë të parë që nga mesi i tetorit.

Në Itali, shkollat mund të hapen përsëri për mësim me orar të rregullt; restorantet dhe baret mund të hapen për frekuentim me shërbim të rregullt për klientët në mjedise të hapura duke filluar nga e hëna në të gjitha zonat me përjashtim të atyre me rrezik më të lartë.

Patrizia Centa shprehet e çliruar që më në fund bëri dozën e parë, menjëherë pasi kishte bërë vaksinën në një qendër vaksinimesh të ngritur në studiot kinematografike Cinecitta të Romës, ku janë realizuar disa nga filmat më të famshëm italianë si "La Dolce Vita".

"Pa diskutim një përvojë pozitive", thotë zonja Centa, e rrethuar nga afishe me fotografitë e yjeve të filmave italianë dhe mesazheve frymëzuese nga Sophia Loren dhe Roberto Benigni. “Ishte, e pabesueshme. Një përvojë e bukur,” thotë ajo./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat