Unë në atë kohë do të kisha pasur nevojë, për një ligj të tillë

Evropë

Unë në atë kohë do të kisha pasur nevojë, për një ligj të tillë

Nga: Sherif Ramabaja Më: 22 prill 2021 Në ora: 20:39
Khulud-Alharti duhej të mbante shami nga mosha dhjetë vjeçare dhe një vello të plotë, mbi trup nga mosha dymbëdhjetë vjeçare

Franca po diskuton një ndalim të shamisë për fëmijët, kundërshtarët paralajmërojnë për Islamofobi. Është një ide progresive. Sepse gratë duhet të vendosin vetëm si të rritura nëse, kur dhe si duan ta bëjnë publike besimin e tyre.

Në Francë, Senati votoi për një ndryshim të ligjit që do të ndalonte vajzat e mitura të ishin të mbuluara në publik. Drafti ka pak mundësi të miratohet në të vërtetë. Sidoqoftë, ajo ka ndezur debate të nxehta ditët e fundit, duke përfshirë edhe vendet arabe.

Në Twitter po zihet shumë, me disa paralajmërime se Franca tani është një vend islamofob dhe po shkon drejt gjenocidit duke hapur rrugën për një mentalitet "ne kundër tyre" - një ekzagjerim brutal dhe vlerësim i dobët i situatës.

Të tjerët e kanë vlerësuar ndryshimin e propozuar në ligj si një formë mbrojtjeje për fëmijët nga frikësimi dhe nxitjen të cilën po e shkakton feja.

Personalisht, mendoj se ndalimi i mbulesës për vajzat nën 18 vjeç është logjik dhe progresiv. Ai i mbron vajzat dhe u mundëson atyre të vendosin vetë më vonë si të rritura nëse, kur dhe si duan t'i bëjnë publike bindjet e tyre. Nga ana tjetër, unë mendoj se është e pikllueshme që duhet të diskutohet një temë e tillë fare.

Kur një mbulesë e tillë i imponohet një vajze, ajo është për ta kufizuar atë, para së gjithash trupin e saj, por edhe lëvizshmërinë e saj shoqërore dhe fizike. U heq këtyre vajzave të reja, mundësinë e një zhvillimi normal, të ekuilibruar dhe ndikon në lirinë e tyre dhe të ardhmen e tyre.

Dëmtim emocional dhe shpirtëror për vajzat e reja

Ky debat sjell shumë kujtime. Edhe nëse situata shoqërore dhe politike në vendin tim të lindjes Arabia Saudite dhe në Francë janë shumë të ndryshme - dëmi mendor që u shkaktohet këtyre vajzave të reja është i njejt, kur parimet fetare dhe kufizimet e trupit u imponohen atyre.

Unë personalisht vetë duhej të vishja një shami që nga mosha dhjetë vjeçare dhe një nikab, dmth. një vello duke e mbuluar tërë trupin, që nga mosha dymbëdhjetë vjeçare. Të provosh ta bindësh një vajzë të vogël se duhet të vishet ashtu, në mënyrë që të mos i joshte burrat, kjo për to mund të ndikoi negativisht në zhvillimin e përgjithshëm të tyre. Nuk është e shëndetshme për trupin dhe seksualitetin e saj.

Themeluesja i blogut "MuslimGirl", Amani al-Khatahtbeh, shkroi në Twitter se ishte " sëmundje" të " detyrosh vajzat e mitura të ndihen  pakicë (minoritet) të prekshme dhe t´u kërkosh detyrimisht që të mbulonin trupat e tyre". Pyes veten, pse vajzat e mitura duhet ta kenë ndjenjën se duhet t´i mbulojnë trupat e tyre. Fjala "mbulim" në këtë kontekst është e gabuar dhe e pabesë. Trupat e fëmijëve nuk kanë asgjë për të fshehur, atëherë si mund t'i "buloni" ato?

Mbulesa që u bëhet grave i kthen ato në objekte seksuale, dhe si praktika të tjera, i zvogëlojnë gratë në imazhin e tyre trupor ose në pamjen e jashtme. Kjo mund të shkaktojë stres serioz emocional tek vajzat e reja dhe të vogla.

 Është një barrë shumë e rëndë që të detyroheni për ta mbajtur mbulesën në një moshë kaq të re. Pavarësisht nëse jeni të detyruar ta bëni këtë, apo nëse vendosni vetë. Problemi është rëndësia dhe roli i mbulesës.

Unë bisedova me një mike timen nga Arabia Saudite në lidhje me të kaluarën dhe përvojën tonë, sesi u detyruam që në një moshë shumë të re të visheshim me velin duke e identifikuar si një rrobë normale dhe po ashtu dilnim në publik. 

Edhe pse jemi rritur në një vend islamik ku kjo është pjesë e kodit të veshjes së grave, përvoja ishte e vështirë për ne, sepse ndiheshim të shkëputur nga bota përreth nesh.

Ne duhej të miratonim një mënyrë jetese, që nuk përputhej me perceptimin tonë të jetës në këtë moshë të re. Ajo më tha: "Kur familja ime më detyroi ta bartja velin, unë u shkatërrova. Isha një vajzë e re hiperaktive dhe kurioze, prandaj edhe nuk më lejohej më të luaja jashtë."

Ndërsa shkruaj këtë artikull, po mendoj për një kujtim nga fëmijëria ime. Isha dymbëdhjetë vjeçare dhe u ula në sediljen e pasme të makinës së babait tim, duke shpresuar shumë se ai do të më humbte nga sytë dhe se mund të hiqja perden nga dritarja e veturës për disa minuta, për një moment lirie. Do të doja të kishte pasur një ligj në atë kohë që do të më mbronte nga kjo larje e trurit dhe do të më lejonte të bëja një jetë normale./Nga Khulud Alharthi, nga gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat