Serbia nis ndërtimin e një hidrocentrali të madh në Bosnjë pa lejen e këtij vendi

Evropë

Serbia nis ndërtimin e një hidrocentrali të madh në Bosnjë pa lejen e këtij vendi

Më: 17 maj 2021 Në ora: 19:17
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe kryeministri i Republika Srpskas, Radovan Vishkoviq

Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republika Srpskas të hënën kanë vënë gurin themeltar për ndërtimin e një hidrocentrali të madh në Foça, qytet në lindje të Bosnjë-Hercegovinës.

Gur-themelin e kanë vënë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe kryeministri i Republika Srpskas, Radovan Vishkoviq.

Mirëpo kjo është kritikuar ashpër nga Qeveria e Bosnjës. Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës, Bisera Turkoviq, ka thënë se projekti nuk ka marrë miratimin e Qeverisë dhe si i tillë nuk mund të vazhdojë.

Sipas njoftimit, vlera e hidrocentralit të emërtuar “Buk-Bjela” është 220 milionë euro, ndërkohë Qeveria e Serbisë është aksionare me 51 për qind, kurse Republika Srpska me 49.

“Pushteti i Republikës së Serbisë duhet ta dijë se me përfshirjen në këtë projekt të hidrocentralit ‘Buk-Bijela’, i cili nuk ka lejen e Qeverisë së Bosnjës dhe është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, rrezikon të sjellë jo vetëm dëme ekonomike, por edhe të shkatërrojë fqinjësinë e mirë”, ka thënë Turkoviq, përcjell REL në gjuhën serbe.

Kryeministri i Republika Srpskas, ndërkohë tha sot se Bosnja (niveli qendror) nuk është kompetente për ndërtimin e hidrocentralit “Buk-Bjela”.

Me këtë projekt, parashihet që të ndërtohen tri hidrocentrale mbi lumin Drina: “Buk-Bijela”, Foça” dhe “Paunci”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat