Kanali i Stambollit, kryebashkiaku bllokon mega-projektin e Erdoganit

Evropë

Kanali i Stambollit, kryebashkiaku bllokon mega-projektin e Erdoganit

Më: 18 maj 2021 Në ora: 14:20
Kanali i Stambollit

Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan synon për një kalim të dytë në Bosfor.

Për investitorët ky mega-projekt është një ëndërr, por jo për shumë banorë të Stambollit. Vetë kryebashkiaku i qytetit, Ekrem Imamoglu mund të kthehet në pengesë për këtë plan ambicioz të Erdoganit, i cili njihet për preferencën e tij për projekte gjigande ndërtimi.

Ky kalim do të jetë një lloj kopjeje e ngushticës detare, që kalon mes përmes metropolit 16 milionë banorësh. Në perëndim të qytetit kanali artificial prej 45 km. do të kalojë paralel me Bosforin dhe do të lidhë Detin e Zi me Detin Marmara. Me këtë synohet t’i jepet frymëmarrje qarkullimit të dendur në ngushticën detare si dhe të ulet rreziku i aksidenteve të shumta që ndodhin, thuhet në qarqet qeveritare.

Por, kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një pjesë e mirë e popullsisë së qytetit dhe studiuesit e kritikojnë projektin. Argumentet më të rëndësishme, kundër ndërtimit të kanalit janë shqetësimet për dëmet ndaj mjedisit. Ndonëse Ministria turke e Mjedisit dhe Urbanistikës në fund të vitit 2019 ka verifikuar influencën ndaj mjedisit të këtij projekti duke e vlerësuar atë “pozitivisht”, studiues të pavarur parashikojnë pasoja të rënda, në rast se bëhet realitet ndërtimi i kanalit. Një tjetër pikë konflikti janë kostot e larta të ndërtimit.

Zyrtarisht, bëhet fjalë për rreth 11.5 miliardë dollarë, ndërsa ekspertët parashikojnë që shpenzimet do të jenë më të larta. Projekti do të realizohet “në kurriz të taksapaguesve”, janë kritikat nga administrata e Stambollit, që drejtohet prej opozitës.

Kryebashkiaku, Ekrem Imamoglu, që qeveris arkën e Stambollit, socialdemokrat dhe anëtar i partisë më të madhe në opozitë CHP, është kundër rrugës artificiale ujore dhe thotë se do ta bllokojë atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat