Gjermania nis hetimet pas dyshimeve se mijëra persona kanë marrë ujë të kripur në vend të vaksinës

Evropë

Gjermania nis hetimet pas dyshimeve se mijëra persona kanë marrë ujë të kripur në vend të vaksinës

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Autoritetet në veri të Gjermanisë u kanë kërkuar më shumë se 8,000 personave që të vaksinohen sërish kundër koronavirusit, pasi një infermiere dyshohet se u ka dhënë atyre ujë me kripë, në vend të dozës së vaksinës.

Policia është duke hetuar veprimet e infermieres në një qendër vaksinimi në Friesland, transmeton BBC.

Fillimisht është besuar se vetëm gjashtë persona kanë marrë ujin me kripë në muajt mars dhe prill.

Shumica e personave që besohet se kanë marrë këtë substancë të padëmshme janë mbi moshën 70-vjeçare, të cilët hyjnë në kategorinë e rrezikuar nga pandemia.

Inspektori Peter Beer, është cituar të ketë thënë, sipas së përditshmes gjermane, Süddeutsche Zeitung, se infermierja 40-vjeçare ka shpërndarë edhe “informacion kritik për koronavirus” nëpër rrjetet sociale, duke kritikuar kufizimet e qeverisë që kanë synuar të ndalin virusin.

Transmetuesi rajonal gjerman, NDR, ka thënë se 8,557 personave u është kërkuar të përsërisin vaksinimin, dhe deri më tani rreth 3,600 termine të reja janë konfirmuar.

Në muajin prill, infermierja e ka pranuar se u ka dhënë gjashtë personave ujin e kripur, për të fshehur faktin se e ka fshehur në dysheme dozën e vaksinës.

Mirëpo teksa hetimet janë zgjeruar, është kuptuar se më shumë persona mund të kenë marrë këtë substancë, në vend të vaksinës së prodhuar nga kompania Pfizer/BioNTech.

Policia nuk ka hedhur poshtë mundësinë që ndonjë motiv politik ka nxitur veprimet e infermieres, ndonëse avokatët e saj kanë hedhur poshtë diçka të tillë.

Gjermania është përballur disa herë me protesta kundër vaksinimit.

Grupet e ekstremit të djathtë janë mesin e atyre që kanë refuzuar të dhënat zyrtare dhe konkluzionet rreth COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat