Rusia thotë se përfundoi ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2

Evropë

Rusia thotë se përfundoi ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 06:45
Ilustrim

Moska njoftoi të premten përfundimin e tubacionit të debatueshëm të gazit Nord Stream 2, që kritikët thonë se do të rrisë varësinë e Evropës nga gazi rus dhe anashkalon një aleat kyç të BE-së, Ukrainën.

Nord Stream 2 pritet të dyfishojë furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Gjermani, por ka ndarë kryeqytetet evropiane dhe ka rritur tensionet midis bllokut dhe Uashingtonit.

Kreu i gjigantit të energjisë Gazprom, Alexei Miller, njoftoi të premten se ndërtimi ishte "përfunduar plotësisht", thuhet në një deklaratë të kompanisë.

Debati kryesor ka të bëjë me faktin që tubacioni devijon furnizimet nga një rrugë ekzistuese përmes Ukrainës, duke mos e lejuar këtë ved të përfitojë nga tarifat e rëndësishme të tranzitit të gazit nga Rusia.

Ukraina - në konflikt me Rusinë që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014 - ka paralajmëruar Evropën se tubacioni mund të përdoret nga Moska si "një armë e rrezikshme gjeopolitike".

"Ukraina do ta kundërshtojë këtë projekt politik, para dhe pas përfundimit të tij dhe madje edhe pasi gazsjellësi të ketë nisur punën" tha Sergiy Nykyforov, zëdhënësi i Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për agjencinë e lajmeve AFP.

Por zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se kritikët duhet t'i japin fund përpjekjeve për të bllokuar projektin dhe në vend të kësaj të bien dakord për "terma të interestit të përbashkët" për funksionimin e tij.

"Është e qartë për të gjithë, përfshirë kritikët e gazsjellësit Nord Stream 2 dhe ata që kundërshtuan dëshpërimisht ndërtimin e tij, se ai nuk mund të ndalet," tha zonja Zakharova.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov bëri thirrje që projekti të nisë "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe hodhi poshtë kritikat, duke thënë se "të gjithë" do të përfitojnë prej tij.

Duke u shtrirë nga bregu baltik i Rusisë deri në Gjermaninë verilindore, tubacioni nënujor, 1200 kilometra ndjek të njëjtën rrugë si Nord Stream 1, i cili përfundoi mbi një dekadë më parë.

Ashtu si paraardhësi i tij, Nord Stream 2 do të jetë në gjendje të transportojë 55 miliardë metra kub gaz në vit në Evropë, duke rritur qasjen e kontinentit tek gazi relativisht i lirë natyror në kohën kur ka rënie të prodhimit vendas.

- Shtytje amerikane -

Gazpromi ka shumicën e aksioneve në projektin prej 10 miliardë eurosh. Kompanitë Uniper dhe Wintershall të Gjermanisë, Engie e Francës, firma anglo-holandeze Shell dhe OMV e Austrisë janë gjithashtu të përfshira.

Ish-kancelari Gerhard Schroeder shërben si kryetar i komisionit të aksionerëve të Nord Stream.

Rusia dhe Gjermania këmbëngulin se Nord Stream 2 është një projekt thjesht komercial, por analistët nuk pajtohen për përfitimet ekonomike të projektit.

Një raport i vitit 2018 nga instituti gjerman DIW thotë se gazsjellësi ishte i panevojshëm dhe u ndërmor bazuar në parashikimet që "mbivlerësojnë ndjeshëm" kërkesën në Gjermani dhe Evropë.

Gjermania - ekonomia kryesore e Evropës - importon rreth 40 për qind të gazit të saj nga Rusia dhe Berlini beson se tubacioni ka një rol për të luajtur në tranzicionin e Gjermanisë larg qymyrit dhe energjisë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë me rezerva dritën jeshile për projektin.

Ashtu si paraardhësit Barack Obama dhe Donald Trump, Presidenti amerikan Joe Biden e kundërshtoi projektin, duke thënë se është një marrëveshje e keqe për Evropën dhe një rrezik sigurie.

Por kritikët e këtij argumenti vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara gjithashtu dëshirojnë të rrisin shitjet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Evropë.

Sanksionet amerikane ndaj anijeve ruse që instaluan tubacionin arritën të vonojnë Nord Stream 2, duke zemëruar Gjermaninë.

Por Presidenti Biden, i etur për të rindërtuar lidhjet transatlantike që u tensionuan keq nga ish Presidenti Trump, papritur hoqi dorë nga sanksionet në maj ndaj kompanisë së kontrolluar nga Rusia.

Analistët e panë këtë lëvizje si një lëshim për Berlin, mbështetjen e së cilës Uashingtoni e kërkon përballë sfidave të tjera, përfshirë rritjen e ndikimit të Kinës.

Zelensky ka thënë se heqja e sanksioneve është një fitore për Presidentin rus Vladimir Putin.

Duke ripohuar mbështetjen për Ukrainën, Presidenti Biden priti Presidentin Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në fillim të shtatorit.

Pas takimit, zoti Zelensky u tha gazetarëve se Presidenti Biden e kishte siguruar atë se Shtetet e Bashkuara do të vendosnin sanksione mbi tubacionin nëse do të kishte "shkelje" nga Rusia që do të krijonin probleme për sigurinë energjetike të Ukrainës./VOA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat