Buça, mes tragjedisë e përpjekjeve për t’u ringritur

Evropë

Buça, mes tragjedisë e përpjekjeve për t’u ringritur

Më: 8 prill 2022 Në ora: 19:58
Foto ilustrim

Buça, një qytet në periferi të Kievit, u shndërrua në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të akteve mizore ndaj popullatës civile të kryera nga forcat ruse që qëndruar aty rreth një muaj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryebashkiaku i Buçës, rrëfen tronditjen që pësoi pas rikthimit të qytet. Anatoliy Fedoruk, flet mbi numrin e viktima civile që janë gjetur, përpjekjet për të rindërtuar infrastrukturën ndërsa thekson se është ende herët që banorët e larguar në fillim të agresionit rus, të rikthehen. Shërbimi rus i Zërit të Amerikës bisedoi me zotin Fedoruk dhe sjell pamje të qytetit të shkatërruar.

Për Anatoliy Fedoruk, kryetar i Bashkisë së Buçës, ajo që ka ndodhur në qytet nga trupat ruse është e paimagjinueshme. Ai ka studiuar për histori, por ajo që pa më 1 prill, ka tronditur gjithçka dinte mbi luftën dhe kodet e saj.

“Si historian shpresoja që traditat ushtarake të respektoheshin disi. Prisja që ushtarët të mos sulmonin civilët ose të ishin të dhunshëm ndaj tyre. Sigurisht, gjatë luftës ka shumë bombardime. Në thelb ajo është një llotari, ose jeton ose vdes. Por ajo që pashë, ishin shtëpi të shkatërruara, makina ushtarake të djegura, trupa njerëzish të pajetë. Ata ishin torturuar, u kishin lidhur duart pas shpine, ata ishin civilë të qëlluar për vdekje. Dhe mund ta kuptoje fare mirë se kishin qenë aty prej disa ditësh”, thotë ai.

Në intervistën e tij për Zërin e Amerikës zoti Fedoruk thotë se pasi forcat ruse u larguan, zyrtarët lokalë kishin gjetur 5 trupa njerëzish në moshë të re me duar të lidhura në një kamp fëmijësh në lagjen Melkini. Aty forcat ruse kishin patur qendrën e tyre.

“Kishte shumë trupa njerëzish të vrarë në rrugë, jo nga bombardimet, por me plagë armësh. Ishin qëlluar për vdekje me mitraloz. Çdo ditë po gjejmë trupa në pjesë të ndryshme të qytetit, në kopshte me perime, tek zonat e parkut, këndet e lojërave, janë krahas atyre për të cilët mediat ka shkruar tashmë. 320 kanë vdekur. Kemi zbuluar dy trupa të tjerë të vrarë me armë zjarri në fshatin Lubyanka. Dhe gjashtë të tjera në fshatin Zdvizhevka”.

Sipas kryetarit të bashkisë së Buças deri tani janë identifikuar 163 viktima, të gjithë banorë të qytetit, të vrarë e torturuar brutalisht nga ushtarët rusë sikurse thotë ai.

“Ne kemi shqyrtuar rreth 80% të territorit, deri aty ku mund të shkojmë. Sepse të shkosh në zonat pyjore ose në brigjet e lumenjve pranë fshatrave është e rrezikshme. Këto janë zona ku ishin të vendosura trupat ruse, nga ku u bombardua Kievi. Ato vazhdojnë të jenë ende të minuara dhe askush, me përjashtim të specialistëve, nuk mund të shkojë atje tani për tani”.

Zoti Fedoruk thotë se aktualisht po punohet për të rikuperuar atë çka mundet apo të rindërtohen objektet më të rëndësishme të infrastrukturës. Po kështu sipas tij, po punohet për t’u ardhur në ndihmë atyre njerëzve që kanë jetuar në bodrume për një muaj të tërë, nën zjarrin e predhave derisa forcat ruse u larguan. Ata, thotë ai, kanë nevojë për ndihmë mjekësore e psikologjike.

Buça vazhdon të jetë nën shtetërrethim ashtu sikurse i gjithë rajoni. Autoritetet u kërkojnë banorëve ta respektojnë atë duke u bërë thirrje gjithashtu atyre që duan të rikthehen se është ende shumë herët për ta bërë një gjë të tillë.

“Një pjesë e madhe e territorit është ende e rrezikshme. Por në të njëjtën kohë u drejtohem atyre banorëve të qytetit tonë që punonin në objekte infrastrukturore me rëndësi: ne kemi nevojë për ju. Sepse pasi të rindërtojmë infrastrukturën, do të kemi nevojë për ta vënë atë në funksion”.

Zoti Fedoruk thotë se do të duhet të paktën një javë e gjysmë që qytetit të bëhet sërish i banueshëm. Por kjo do të kërkojë një punë kolosale. Goditja e infrastrukturës kritike nga forcat ruse nuk ishte diçka e rastësishme, thotë ai.

“Stacioni hekurudhor ishte i pari që u bombardua. Është ndërprerë plotësisht shërbimi, është shkatërruar plotësisht. Po ashtu janë dëmtuar rezervuarët e ujit që ndodhen në zonat pyjore. Pothuajse të gjitha stacionet që ofronin sinjalet e komunikimit janë shkatërruar ndër të parët. Kjo do të thotë se armiku i kishte vënë qëllimisht në shënjestër. Kemi mbetur pa komunikim, pa energji elektrike dhe pa ujë në këto kushte. Por, po mbështesim njëri-tjetrin”.

Në një qytet të lënë të shkatërruar nga forcat ruse është e vështirë të llogariten dëmet. Nga një kompleks i madh apartamentesh, 20 për qind e tyre duhet të rrëzohen pasi janë bërë të pabanueshme nga bombardimet. Po kështu rreth 150 deri 170 shtëpi janë djegur tërësisht, pa marrë parasysh dëme të tjera.

Por nëse shifra e dëmeve nuk dihet, e me siguri është e lartë, një gjë është po aq e sigurt:

“Do të na kushtojë shumë, por ne do ta rindërtojmë”, thotë kryebashkiaku i Buçës për Zërin e Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat