​Hulumtimet tregojnë për rritje të çmimeve të ushqimit për ushtarët ukrainas

Evropë

​Hulumtimet tregojnë për rritje të çmimeve të ushqimit për ushtarët ukrainas

Më: 11 prill 2023 Në ora: 08:19
Foto ilustrim

Rreth dy muaj pas skandalit me pagesa mbi çmimet e një kontraktuesi për furnizime me ushqim për ushtarët ukrainas, u testua përpjekja e Ukrainës për anti-korrupsion.

Skemat kanë zbuluar se të paktën katër kontraktues të tjerë të rëndësishëm e ngarkojnë me pagesa edhe Ministrinë e Mbrojtjes me tarifa mbi tregun për furnizimin e ushqimeve bazë për ushtarët ukrainas, shkruan REL.

Gjetjet nga Skemat, nga shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë, bazohen në kontratat e kompanive të vitit 2023, me vlerë rreth 1.14 miliard dollarë, të cilat Skemat i morën nga burime të shumta në lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjitha këto kontrata, përveç dy prej tyre, nuk janë bërë publike më parë.

Dokumentet e Shërbimit Shtetëror të Taksave tregojnë se çmimet me të cilat kanë përgatitur dorëzimin, për shembull të patateve, mollëve, lakrave dhe vezëve për trupat e armatosura të Ukrainës, variojnë nga dy deri në trefishin e nivelit të çmimeve të blerjes të raportuara te zyrtarët tatimorë në dhjetor të vitit 2022 dhe janar të vitit 2023. Të dhënat e plota tatimore të pesë nga tetë kontraktuesit e ushqimit, ishin të qasshme.

Sipas vlerësimeve të Skemave, çmimi i ri lejon ende një marzhë shitjesh prej 30 deri në 70 për qind, që është dallimi i çmimit të shitjes së një artikulli ushqimor dhe kostos për kontraktuesit për ta blerë atë.

Qeveria është nën presion për të luftuar korrupsionin nga Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore, ndërsa ajo pretendon se nuk ka pasur parregullsi. Por, ky problem shihet qartë se ende është i pranishëm.

Furnizuesit sekretë

Kontratat për ushtrinë ukrainase nuk janë bërë publike dhe identitetet e kontraktuesve të saj janë mbajtur sekret që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Mirëpo, kjo ndryshoi në janar 2023 me publikimin e një hetimi nga media Dzerkalo Tyzhnya, që zbuloi se një furnizues ushtarak, kompania Aktyv me bazë në Kiev, po i ngarkonte qeverisë gati dy herë e gjysmë çmimin e shitjes me pakicë për vezët.

Që nga atëherë, vetëm një furnizues tjetër, Harna Strava me bazë në Dnipro, pjesë e një hetimi prokurimi të 13 marsit 2023 nga Bihus.Info është bërë publike.

Gjashtë furnizuesit e mbetur, emrat e të cilëve Skemat i kishin marrë nga kontratat që kishin me Ministrinë e Mbrojtjes, refuzuan të zbulonin identitetin e tyre.

Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes, emërimi i kontraktuesve ushtarakë pa pëlqimin e tyre, rrezikon sigurinë kombëtare të Ukrainës dhe krijon "kushte të favorshme" për një sulm rus në pjesë të sistemit logjistik ushtarak të Ukrainës, i cili mund të rezultojë me "viktima njerëzore".

Skemat kanë përdorur numrat e kontratave, në vend të emrave të korporatave për të identifikuar këta gjashtë furnizues ushqimorë.

Si funksionon sistemi i furnizimit?

Ministria e Mbrojtjes nuk ngarkohet për ushqim, sipas furnizuesve dhe vetë Ministrisë së Mbrojtjes; përkundrazi, është duke u ngarkuar për një shërbim: sigurimin e ushqimit për njësitë e caktuara ushtarake kudo që ato të vendosen.

Shumica e kompanive që janë në fokus të raportit të Skemave, kryejnë dërgesa të mëdha në magazinat ushtarake në pozicione që nuk janë në vijë të frontit, pozicione që mund të ndryshojnë çdo ditë.

Nga këto magazina, ushtria ukrainase ua dërgon ushqimin trupave ukrainase.

Por, sipas Anastasia Radinës, kryetare e Komitetit kundër korrupsionit në Parlamentin ukrainas dhe anëtare e partisë qeverisëse Shërbëtori i Popullit, struktura e këtij sistemi "është burimi i abuzimeve me prokurimet".

Tutje, ajo thotë se Ministria e Mbrojtjes deklaron se "shërbimi" i furnitorëve përfshin një zgjedhje prej 409 produkteve nga një katalog, së bashku me dërgimin, ftohjen dhe zëvendësimin e produktit.

Por, në realitet, Radina shtoi se "njësitë ushtarake marrin produkte nga furnizuesit e Ministrisë së Mbrojtjes -- dhe, në fakt, shumë më pak artikuj sesa që përfshin katalogu -- dhe jo ushqime të gatshme".

Vezët

Vezët ishin në fokus të skandalit të prokurimit të ushqimeve të janarit. Pretendimi i ministrit të Mbrojtjes, Reznikov, se për shkak të një "gabim teknik", u rrit çmimi i tyre në 17 hryvnya (46 centë) për vezë në vend të kilogramit në kontratën e kompanisë Aktyv u bë batutë virale e rrjeteve sociale.

Lista e çmimeve të Aktyv, e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, përcakton çmimin në 9 hryvnya për vezë; një zbritje prej 47 për qind.

Megjithatë, tabela e mëposhtme tregon se ai çmim është ende 64 për qind mbi çmimin e blerjes të raportuar në Shërbimin Tatimor Shtetëror nga dhjetori 2022-janar 2023.

Kontratat e rishikuara për katër furnizuesit shtesë të vezëve për ushtrinë nuk përfshinin ndonjë ndryshim në çmim. Ata vazhdojnë të paguajnë 8–9 hryvnya për vezë, që është një rritje prej 43–67 për qind mbi koston e prokurimit.

Patatet

Disa nga zbulimet më të shumta të mbishpenzimeve të mundshme të Ministrisë së Mbrojtjes mund të gjenden te patatet.

Tarifat e furnitorëve varionin nga 17.7 në 27 hryvnya (48-73 centë) për kilogram para mashtrimit të prokurimit. Një ofrues mbajti çmimin ekzistues pas ndryshimit të çmimit, ndërsa katër të tjerët i ulën çmimet e tyre nga 29 deri në 38 për qind.

Dokumentet tatimore të marra nga Skemat tregojnë se edhe pas rishikimeve, çmimet me të cilat katër nga pesë furnitorë tani i shesin ushtrisë patate janë 40-50 për qind më të larta se çmimet e blerjes së tyre të raportuara në Shërbimin Tatimor Shtetëror në dhjetor 2022 dhe janar të vitit 2023.

Këto tarifa të rishikuara janë dy herë më të shtrenjta se çmimet mesatare të tregut, bazuar në rishikimin e çmimeve të Skemave në Kiev në më shumë se pesë rrjete kombëtare marketesh.

Një hetim i 13 marsit 2023, edhe gazetarja e Bihus.Info, Alisa Yurchenko, zbuloi po të njëjtën gjë.

Mollët

Një faturë nga një njësi ushtarake e paidentifikuar u postua në Facebook nga gazetarja veterane, Tetyana Nikolayenko, tregon se inflacioni i çmimit të patateve të kompanisë Aktyv preku edhe mollët.

Dokumenti i 8 marsit, autenticiteti i të cilit nuk është diskutuar, tregon se mollët për forcat e armatosura shiten 51 hryvnya (1.38 dollarë) për kilogram.

Megjithatë, të dhënat mujore të taksave të Kompanisë Aktyv zbulojnë se vetë kompania paguante 15 hryvnya (41 centë) për kilogram për frutat.

Çfarë thonë furnizuesit?

Pesë nga kontraktuesit e përmendur në këtë hetim u morën në pyetje nga Skemat për mënyrën se si ata përcaktojnë tarifat e tyre për forcat e armatosura dhe se si ata faktorizojnë kostot që mund të kenë ndikim në ato çmime.

Gazetarët, gjithashtu, i pyetën ata se si arritën të ulnin çmimet e artikujve të ndryshëm ushqimorë dhe se si do të rishikonin marzhat e tyre të shitjeve pas rregullimeve të kontratave të tyre me Ministrisë së Mbrojtjes që u bënë në shkurt 2023.

Ministria e Mbrojtjes sqaron se çmimet janë më të larta se mesatarja për shkak të nevojës për të planifikuar paraprakisht zëvendësimet e furnizimeve ushqimore që do të dëmtoheshin ose humbnin. Sipas Reznikov, rritja e çmimeve të shërbimeve ushqimore për vitin 2022 ishte më e vogël se norma e inflacionit prej 26.6 për qind.

Valeriy Melesh, drejtori i Aktyv Business, shpjegoi se kompania duhej të paguante karburantin për dërgimin në vende të shumta, ruajtjen e produkteve dhe pagat e personelit, përveç çmimeve që i paguante Ministrisë së Mbrojtjes. Melesh tha se Aktyv uli çmimet e saj në shkurt 2023 si rezultat i një rënie të çmimeve të saj të blerjes.

Shpenzime të ngjashme u specifikuan nga Furnizuesi nr. 5 (kontrata nr. 286/2/22/80), duke përfshirë paketimin e produkteve, transportin, logjistikën, pagat e personelit të dërgesës, shpenzimet e biznesit dhe transportin në njësitë ushtarake.

Në një intervistë me Bihus.Info, drejtori i prokurimit të Harna Strava, Denys Ushakov, theksoi rrezikun e kryerjes së dërgesave në magazinat ushtarake ukrainase në rajonin e Donjeckut të Ukrainës lindore të pushtuar nga Rusia, "ku askush nuk pranon të shkojë, sepse ekziston rreziku i humbjes së automjetit".

A është zgjidhje një sistem elektronik?

Më 21 mars 2023, presidenti Volodymyr Zelensky nënshkroi një projektligj nën ligjin që obligon që nga 20 qershori 2023 publikimin e çmimeve për të gjitha blerjet ushtarake, përveç armëve, në platformën e prokurimit elektronik ProZorro.

Në fillim të janarit, ProZorro u pezullua për shkak të sulmeve ruse në infrastrukturën e energjisë elektrike të Ukrainës.

Kryetarja e Komisionit parlamentar kundër korrupsionit, Radina, e sheh atë si një mjet për të nxitur konkurrencën e hapur midis shitësve që "mund të ofrojnë çmimet më të larta".

Maksym Nefyodov, një nga krijuesit e ProZorro-s dhe ish-kreu i departamentit të doganave të Ukrainës nga viti 2019 deri në vitin 2020, dha një paralajmërim se portali në vetvete nuk mund t’i zgjidhë problemet e qëndrueshme të Ukrainës me burimin e ushqimit.

"Ky është një problem sistematik që kërkon një zgjidhje që fillon shumë përpara procesit të tenderit", tha Nefyodov në një intervistë më 24 janar 2023 me Radio Svoboda.

Sepse me sistemin e organizimit të ushqimit që ekziston tani, edhe nëse tenderi organizohet personalisht nga Papa ose Nënë Tereza, rezultatet do të jenë përsëri shumë të dyshimta”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat