Jakov ​Millatoviq mori postin e Presidentit të Malit të Zi

Evropë

Jakov ​Millatoviq mori postin e Presidentit të Malit të Zi

Më: 20 maj 2023 Në ora: 11:09 Përditësuar në ora: 13:00 më 20.05.2023
Jakov Millatoviq, president i zgjedhur i Malit të Zi, Podgoricë.

Milatoviq pas betimit: Do të jem president i të gjithëve

Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, menjëherë pas betimit si kreu i ri i shtetit, tha se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, kombëtare apo fetare.

Ai tha se ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokracisë ngrenë optimizëm se në të ardhmen çështjet e hapura që janë me rëndësi jetike për të ardhmen e e Malit të Zi do t’i zgjidhin me shumë më shumë unitet.

“Puna që na pret nuk do të jetë afatshkurtër dhe e lehtë. Eliminimi i ndarjeve të brendshme, ndërtimi i institucioneve të forta, shpërndarja e paanshme e drejtësisë do të kërkojnë një angazhim të plotë”, tha Milatoviq, shkruan Vijesti.

Milatoviq tha se do t’i përfaqësojë të gjithë “në përpjekjet për të gjetur harmoninë aty ku ishim ndarë”.

Millatoviq mori postin e Presidentit të Malit të Zi

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq bëri sot betimin në Kuvend, duke marrë zyrtarisht detyrën e presidentit.

Millatoviq bëri betimin në inaugurim para deputetëve dhe mysafirëve të shumtë.

Në mesin e të ftuarve janë liderët e vendeve të rajonit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, si dhe anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq.

Në inaugurim marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore dhe të trupit diplomatik në Mal të Zi, si dhe ish-presidentë të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit, shkruan Mina, përcjell KosovaPress. Asambleja përfshin të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.

Seanca e Kuvendit filloi me intonimin e himnit kombëtar të Malit të Zi.

Milatoviq zëvendësoi Milo Gjukanoviqin në postin e presidentit, i cili ishte në atë pozitë që nga viti 2018.

Milatoviq fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë, të mbajtur më 11 prill, në të cilat ai fitoi gati 60 për qind të votave.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, të miratuar më 22 tetor 2007, presidenti i vendit zgjidhet me zgjedhje të drejtpërdrejta për pesë vjet.

Millatoviq është presidenti i katërt i Malit të Zi që nga futja e sistemit shumëpartiak.

Deri më tani këtë funksion e kanë kryer Momir Bulatoviq, Filip Vujanoviq dhe Milo Gjukanoviq.

Në prag të largimit, Gjukanoviq sulmon Abazoviçin: Destabilizoi shtetin dhe shoqërinë

Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi Jakov Milatoviç bën sot betimin. Ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri do të mbahet në parlamentin malazez në praninë e deputetëve dhe të ftuarve të shumtë nga rajoni dhe bota.

Në prag të dorëzimit të detyrës, presidenti në largim, Milo Gjukanoviç fshikulloi edhe një herë kryeministrin Dritan Abazoviç, dhe paraardhësin e tij pro serb, Zdravko Krivokapic.

“Këto qeveri destabilizuan thellësisht shtetin dhe shoqërinë, shkatërruan arritjet e vlefshme të zhvillimit ekonomik dhe institucional dhe vunë në pikëpyetje arritjen e qëllimit europian”, tha Gjukanovic.

Njeriu që e drejtoi vendin për mbi tre dekada beson se qeveria e zgjedhur pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të marrë përgjegjësi dhe do të krijojë kushte për jetë normale politike në vend. Milo Gjukanoviç ka qenë shtatë herë kryeministër dhe dy herë president i Malit të Zi.

Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, ai dha dorëheqjen edhe nga kreu i Partisë Demokratike të Socialistëve. Përkatësisht, pas 30 vitesh në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve humbi në zgjedhjet e vitit 2020 nga një shumicë e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus dhe pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA.

Gjatë pushtetit të tij, Gjukanoviç ndërtoi marrëdhënie të mira me vendet e rajonit, përveç se me Serbinë ku me Beogradin zyrtar, teksa marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe u përkeqësuan në vitin 2019 pas miratimit të Ligjit për Lirinë e Fesë. 

Inaugurimi i presidentit të zgjedhur të Malit të Zi, Jakov Millatoviq

Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, më 20 maj në mesditë, do të bëjë betimin dhe do të marrë detyrën e kreut të vendit.

Në përurim, përkatësisht, në ceremoninë e betimit, që mbahet në Parlamentin e Malit të Zi, do të marrin pjesë rreth 200 personalitete, duke përfshirë zyrtarë nga fqinjësia, ambasadorë dhe të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobar.

Në ceremoni do të marrin pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Malit të Zi, përfaqësues të qeverisë, autoriteteve gjyqësore, si dhe presidenti i deritashëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të cilin Millatoviq e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në fillim të prillit.

Pjesa qendrore e qytetit të Podgoricës është bllokuar që nga mëngjesi, si dhe rruga për në aeroport.

Pas intonimit të himnit kombëtar, si dhe betimit të Millatoviqit, ai do të mbajë fjalimin inaugurues, pas së cilit do të mbahet përshëndetje ceremoniale ushtarake në platonë para Parlamentit.

Pas kësaj, Millatoviq do t’i presë të ftuarit në një drekë, ndërkaq në orët e vona të pasdites, në Vilën shtetërore Gorica, ai me bashkëshorten do të presin rreth 700 të ftuar.

Në mesin e tyre do të jenë presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërkaq nga Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës të pranishëm do të jenë Zhelko Cvijanoviq dhe Zhelko Komshiq.

Ardhja e presidentit serb Alleksandar Vuçiq nuk është konfirmuar.

Nga zyrtarët evropian, të pranishëm do të jenë Oliver Ropke, president i Komitetit evropian ekonomik dhe social të Komisionit Evropian, ndërkaq nga Britania e Madhe dhe Gjermania, të dërguarit specialë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Pich dhe Manuel Saracin.

Presidenti i malit të Zi zgjidhet çdo pesë vjet, ndërkaq të gjitha inaugurimet e mëparshme ishin bërë në Cetinë.

Jakov Millatoviq, 37-vjeçar, është presidenti i parë që nuk është nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviqit, e cila pati pushtetin për tri dekada, deri në gusht të vitit 2020, kur humbi zgjedhjet.

Millatoviq, një nga liderët e lëvizjes “Evropa tani”, e themeluar një vit më parë, ka qenë në politikën malazeze që prej tre vjetësh kur u emërua ministër i qeverisë së parë pas shkuarjes nga pushteti të DPS-së.

Në garën presidenciale, ai pati mbështetjen partive në pushtet, Frontit Demokratik pro-Rus, Demokratëve dhe Lëvizjes qytetare URA.

Që nga fillimi i viteve të 90-ta, Gjukanoviq ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe dy herë president i Malit të Zi.

Pas humbjes së pushtetit në zgjedhjet parlamentare, gati tre vjet më parë, DPS-ja e tij humbi edhe zgjedhjet në Podgoricë, në muajin tetor. Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, Gjukanoviq dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë.

Ditëve të fundit, Gjukanoviq dhe Millatoviq zhvilluan dy takime si pjesë e procedurës së dorëzimit të detyrës, pas të cilave theksuan se Mali i Zi është shembull i mirë i tranzicionit demokratik të pushtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat