Pas djegies së Kuranit në protestë, Maroku tërheq ambasadorin nga Suedia për një kohë të pacaktuar

Evropë

Pas djegies së Kuranit në protestë, Maroku tërheq ambasadorin nga Suedia për një kohë të pacaktuar

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 09:40
Foto ilustrim

Autoritetet marokene pas djegies së kuranit në ditën e Kurban Bajramit në Suedi kanë vendosur që të tërheqin ambasadorin e tyre në këtë vend.

Zyrtarët e Marokut kanë theksuar se ky është një akt fyes dhe i papërgjegjshëm.

“Qeveria suedeze, edhe një herë, miratoi një demonstratë (…) gjatë së cilës Kurani i Shenjtë u dogj para një xhamie islame në Stokholm. Ky akt i ri fyes dhe i papërgjegjshëm sfidon ndjenjat e më shumë se një miliard myslimanëve në këtë periudhë të shenjtë të pelegrinazhit të madh në Mekë dhe festës së bekuar të Kurban Bajramit”, tha diplomacia marokene në një deklaratë për mediat.

“Përballë këtyre provokimeve të përsëritura, të kryera nën vështrimin dashamirës të qeverisë suedeze”, dhe me urdhër të mbretit maroken Mohammed VI, i ngarkuari me punë i Suedisë në Rabat u thirr të mërkurën në Ministrinë e Punëve të Jashtme marokene.

Me të mbërritur, “i shprehu dënimin më të fortë nga Mbretëria e Marokut për këtë fyerje dhe refuzimin e këtij akti të papranueshëm”, vijon njoftimi për shtyp.

Gjesti, i cili përkoi me Kurban Bajramin, i cili festohet nga myslimanët në mbarë botën, u ndoq nga rreth njëqind shikues dhe gazetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat