Përmbyset gjithçka në Moskë, Putin “heq qafe” dy ministrat e tij më të besuar - ja kush do të jetë “numri 2” i tij

Evropë

Përmbyset gjithçka në Moskë, Putin “heq qafe” dy ministrat e tij më të besuar - ja kush do të jetë “numri 2” i tij

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 10:02
Vladimir Putin

E ardhmja e Sergei Shoigu, ministrit të mbrojtjes së Putinit, është më se e pasigurt pavarësisht nga triumfi i përkohshëm i tij pas marshimit të ndërprerë të Wagnerit në Moskë. Në ato ditë dramatike, ndërsa Prigozhin dhe mercenarët e tij sulmuan triumfalisht nga Rostovi në Kremlin, Shoigu nuk u pa askund në publik, as në ekrane televizive. Ai nuk komentoi kërkesat e Wagner-it për ta hequr qafe, duke e e konsideruar si të paaftë. Vetëm pasi Prigozhin u largua për në Bjellorusi, ai doli pas krahëve të Vladimir Putin në disa takime në Moskë. “Unë dhe shefi po fitojmë, dhe Wagner po humbet”, duket se i tha ai rusëve. Por shumë analistë rusë dhe perëndimorë bien dakord për diçka: herët a vonë, Putinit do t'i duhet ta heqë qafe atë.

Konflikti me Prigozhin

Konflikti midis Prigozhin dhe Ministrisë së Mbrojtjes Ruse ka vazhduar prej muajsh. Prigozhin ka akuzuar vazhdimisht Sergei Shoigu dhe kreun e Forcave të armatosura Valeriy Gerasimov për inkompetencë. Sado manipulues ishte Prigozhin në akuzat e tij kundër Shoigut dhe Gerasimov, duke pretenduar se ata nuk po e furnizojnë me municion dhe se duan të shkatërrojnë luftëtarët e tij, është fakt se e gjithë lufta në Ukrainë po shkon shumë keq për Rusinë dhe se ai është figura më përgjegjëse në atë histori, së bashku me Putinin. Nëse ai nuk dëshiron të ikë vetë, Putini do të duhet të sakrifikojë ministrin e tij të mbrojtjes së shpejti. Ai i tha atij një sërë të pavërtetash për ushtrinë ruse, i dha atij vlerësime të gabuara të kohës dhe forcave për pushtimin e plotë të Ukrainës dhe përfundimin e konfliktit, dhe është drejtpërdrejt përgjegjës për dhjetëra mijëra ushtarë rusë të vrarë dhe një përfitim më shumë se modest territorial.

Largimi i Shoigu

Shoigu ka pasur një karrierë me jetëgjatësi politike të pakrahasueshme në  Rusinë post-sovjetike  dhe prania e tij në qendër të pushtetit në Moskë i paraprin asaj të vetë Putinit. Me origjinë nga rajoni Tuva i Siberisë jugore, Shoigu është ndër të paktët rusë joetnikë që ka zënë një post të lartë në qeveri pas rënies së BRSS. Ai filloi ngjitjen e tij në vitin 1994 kur u emërua ministër i situatave emergjente në vitet e para të presidencës së Boris Yeltsin. Putini, megjithatë, nuk mund ta shkarkojë Shoigun në këtë moment, bazuar në kërkesat përfundimtare të kreut të Wagner dhe “tradhtarit” Prigozhin, sepse kjo do të ishte dëshmi e qartë e dobësisë së presidentit. Edhe nëse ministri Shoigu është bërë vërtet i urryer nga e gjithë ushtria ruse, ai mbrohet nga shkarkimi nga “luksi i ruajtjes së forcës politike” të presidentit. Një logjikë e tillë do të “pijë ujë”, për të paktën disa javë të tjera, dhe më pas ndoshta rrethanat do të jenë të përshtatshme që Shoigu të largohet ose të transferohet në një lloj pozicioni zyrtar.

“Numri 2”

Domethënë, është më se e kuptueshme që emri i pasardhësit të mundshëm të Shoigut po qarkullon gjithnjë e më shumë në qoshet e Moskës. Ai është Alexei Dyumin, një ish-agjent sigurie i Kremlinit dhe truproja personal i Putinit. Ai shërbeu në gardën e Putinit gjatë mandatit të tij presidencial nga viti 2000 deri në vitin 2008, por edhe kur Putin ishte në krye të qeverisë, nga 2008 deri në 2012. Tani pesëdhjetë vjeç, ky ish-agjent i agjencisë ruse të rojeve FSO, me origjinë nga Kursku, ka qenë gjithashtu guvernator i rajonit rus të Tula që nga viti 2016, bazuar në emërimin presidencial të Putinit. Ai kaloi një kohë të shkurtër edhe si zëvendës i Shoigut në Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe shumë analistë rusë besojnë se ai ka dëshirë të kthehet në pozicionin e tij të vjetër, por këtë herë si shef.

Analisti politik pro-Kremlinit Sergey Markov njoftoi në kanalin e tij Telegram se ai beson se ka "shumë të ngjarë" që Alexei Dyumin të bëhet Ministër i Mbrojtjes, dhe Gjenerali Sergey Surovikin Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, por kjo nuk do të ndodhë menjëherë. Ruslan Puhov, drejtor i Qendrës për Analizë dhe Strategji me qendër në Moskë, tha për “Financial Times” se Shoigu dhe Gerasimov ishin bërë "rosa të çalë" dhe se Putini së shpejti do t'i largonte të dy. Abbas Galyamov, ish-shkruesi i fjalimit të Putinit, ishte dakord me këtë parashikim dhe ai beson se Alexei Dyumin është favorit për postin e ri të ministrit të Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat