Millorad Dodik: Ne nuk do i pranojmë vendimet e Schmidt

Evropë

Millorad Dodik: Ne nuk do i pranojmë vendimet e Schmidt

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 16:32
Millorad Dodik

Presidenti i entitetit Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ka thënë se Asambleja Kombëtare e entitetit që ai kryeson nuk do t’i pranojë vendimet e marra nga, siç thotë Dodik, “përfaqësuesi i lartë i rremë” Christian Schmidt.

Kjo deklaratë e Dodikut vjen një ditë pasi përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Schmidt, anuloi dy vendime anti-Dejton të asamblesë së entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë vendim që ai Schmidt ka marrë. Nëse Zyra e Prokurorit dhe Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës veprojnë sipas vendimeve të tij, ne do ta miratojmë një ligj në Republikën Sërpska që refuzon atë Zyrë Prokurorie dhe Gjykatë”, tha Dodik, udhëheqësi pro-rus i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe presidenti i Aleancës qeverisëse të Social Demokratëve të Pavarur në Republikën Sërpska.

Në fjalimin e tij për mediat, Dodik tha gjithashtu se është e mundur që “Republika Sërpska të thërrasë një referendum për çështje të rëndësishme” deri në fund të vitit.

Në ushtrimin e tij të fundit të kompetencave të Bonit, Schmidt ndryshoi edhe dispozitat e Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës, duke e zgjeruar atë në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale, njësoj si mosbindja ndaj vendimeve të Përfaqësueses së Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Zyrtarët e Republikës Sërpska të udhëhequr nga Dodiku kundërshtojnë legjitimitetin e përfaqësuesit të Lartë sepse emërimi i tij zyrtar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u kundërshtua nga Kina dhe Rusia.

Dodik tha se ishte një “sulm i sinkronizuar, i poshtër, i projektuar ndaj Republikës Sërpska dhe Serbisë me qëllim të përmbysjes së autoriteteve në Republikën Sërpska dhe Serbi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat