Vala e të nxehtit në Evropë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun

Evropë

Vala e të nxehtit në Evropë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun

Më: 16 korrik 2023 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Evropa Juglindore vazhdon të përballet me atë që ekspertët po e quajnë “stuhi të nxehti”. Spanja, Italia dhe Greqia janë vendet më të prekura. Akropoli është mbajtur mbyllur edhe sot në Athinë deri në orët e pasdites. Një ishull spanjoll ka evakuuar katër mijë banorë nga rreziku i zjarreve pyjore. Agjencia Evropiane e Hapësirës njoftoi për shifra rekord duke thënë se temperaturat e larta që vijnë kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike janë pjesë e një realiteti të ri me të cilin duhet të përshtatet bota.

Spanja, Italia dhe Greqia prej disa ditësh po përjetojnë temperatura përvëluese, duke dëmtuar bujqësinë dhe duke ua vështirësuar pushimet turistëve.

Agjencia Evropiane e Hapësirës që vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga Hapësira paralajmëron që edhe në ditët në vijim të ketë temperatura më të larta.

Kemi regjistruar javën e kaluar temperaturën e sipërfaqes së tokës në 60 gradë Celsius. Kjo nuk është temperatura e ajrit në kuptimin meteorologjik, por ajo tregon temperaturën aktuale të sipërfaqes së tokës, se si do të ndihej në prekje. Dhe ne besojmë se do të intensifikohet”, thotë Clement Albergel, Shkencëtar i Aplikimeve Klimatike në Agjencinë Evropiane të Hapësirës.

Italia lëshoi sot alarmin për motin e nxehtë për 16 qytete, pasi meteorologët paralajmëruan se temperaturat do të arrijnë nivele rekord në të gjithë Evropën Jugore në ditët në vijim.

Turistët arritën të shijojnë Venecian vetëm për pak kohë përballë temperaturave në rritje të shtunën. Qyteti po përgatitet për festivalin “Redentore”, një festival fetar dhe popullor, që përkujton fundin e murtajës shkatërruese të viteve 1575, e cila brenda dy vjetësh vrau më shumë se 50000 venecianë.

Nxehtësia është vërtet e dëmshme për ne sepse nxehtësia në gondola arrin deri në 50 gradë. Unë jam një nga të paktët që përdor një mbulesë në dysheme për të mos ndjerë nxehtësinë e gondolës që të djeg këmbët. Ndonjëherë turistët nuk shkelin dot në gondola nga i nxehti ”, thotë Vinçenco, një gondolier në Venecia.

Në mëngjes, grupe të mëdha turistësh shëtisnin me çadra ndërsa të tjerët përpiqeshin të gjenin mundësi të tjera për t’u mbrojtur.

Në ishullin spanjoll La Parma, të paktën 4,000 njerëz u evakuuan pasi një zjarr në pyll doli jashtë kontrollit, thanë autoritetet.

Dhjetë njësi ajrore dhe 300 zjarrfikës në terren bënë përpjekje të vinin nën kontroll zjarrin në ishull, i cili është pjesë e një arkipelagu spanjoll në brigjet e Afrikës perëndimore.

Të paktën 13 shtëpi u shkatërruan ndërsa zjarri u përhap, tha Fernando Clavijo, president i Ishujve Kanarie.

Kam parë shumë zjarre, por asnjë si ky. Kjo është e tmerrshme, e tmerrshme”, tha një e evakuuar që nuk u identifikua.

Në Athinë, ndërsa paralajmërohej se temperaturat do të arrijnë deri në 41 gradë Celsius për tre ditë radhazi, autoritetet e mbajtën të mbyllur zonën arkeologjike të Akropolit edhe të dielën gjatë orëve më të nxehta.

Tempulli i Partenonit që vizitohet nga miliona turistë çdo vit dhe i cili nuk ka hije, u mbyll nga ora 1 e drekës deri në orën 17:00 sipas të përditshmes greke ‘Kathimerini’.

Nxehtësia, është e vështirë, por do ta përballojmë pasi nuk e di nëse do të vijmë përsëri, kështu që duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Do të pijmë ujë, mbajmë kapele dhe pushojmë kur të mundemi”, thotë turistja nga Shtetet e Bashkuara, Pandora Sohal ndërsa po qëndron në Athinë.

Ministri i Shëndetësisë i Italisë Orazio Schillaci tha se autoritetet po vëzhgonin me vëmendje Romën.

Të shkosh në Koloseum kur është 43 gradë clecius nuk është e këshillueshme, veçanërisht për një person të moshuar” i tha ai gazetës Il Messaggero të dielën.

Përveç kryeqytetit italian, alarmet shëndetësore janë vendosur nga qyteti i Firences deri në Palermo në Siçili dhe Bari, në juglindje të gadishullit.

Meteorologët italianë po e quajnë këtë fazë të nxehtit “Charon” një referencë për një figurë mitologjike greke që ka të bëjë me shpirtrat e të vdekurve. “Charon” u fut në rajon nga Afrika e Veriut të dielën dhe mund të ngrinte temperaturat mbi 45 Celsius në disa pjesë të Italisë.

Sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës për javën e ardhshme pritet edhe një tjetër valë të nxehti në Evropën Jugore me temperatura edhe më të larta.

Shoqëria jonë duhet të përshtatet me këto temperatura që po bëhen një lloj normaliteti i ri, vit pas viti. Për shkak të ndryshimeve klimatike ne mund të ndjejmë se këto valë të nxehtit po ndodhin me një frekuencë më të lartë. Ajo që kemi përjetuar vitin e kaluar dhe tani është një paralajmërim për klimën tonë të ardhshme”, thotë shkencëtari i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Clement Alebergel.

Ai tha se temperaturat e larta mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore, nga rraskapitja nga nxehtësia dhe dehidratimi i rëndë, si dhe të rrisin rrezikun e goditjeve në zemër ose goditjeve në tru.

Zoti Alebergel tha se përveçse në Evropën Juglindore, kudo në mbarë globin, nga Japonia në Amerikën e Veriut, priten temperatura që mund të shënojnë rekorde në ditët në vijim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat