Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

Evropë

Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 09:05
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka dënuar djegien e Kuranit, pasi një grup i quajtur “Patriotët Danezë” jashtë Ambasadës së Irakut në Kopenhagë të Danimarkës.

Kryediplomati evropian e ka cilësuar këtë veprim si “ofendues, mosrespektues dhe provokim i qartë” dhe ka thënë se “respekti për diversitetin është një vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian. Kjo përfshin respektin për komunitetet e tjera fetare”.

“Shprehjet e racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës përkatëse nuk kanë vend në Bashkimin Evropian. Ne vazhdojmë të mbrojmë lirinë e fesë apo besimit dhe lirinë e shprehjes, jashtë dhe brenda; por jo çdo gjë që është e ligjshme është etike”, thuhet në deklaratën e Borrellit, të publikuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

Në faqen e tij në Facebook, grupi i ekstremit të djathtë, Danske Patrioter, publikoi një video ku një burrë shihej duke djegur atë që dukej të ishte një kopje e Kuranit dhe duke shkelur mbi një flamur të Irakut.

Zëvendëshefja e policisë së Kopenhagës, Trine Fisker, ka thënë për AFP-në se “jo më shumë se dhjetëra” protestues ishin mbledhur para ambasadës irakiane.

“Unë, po ashtu, mund të konfirmoj se një libër është djegur. Ne nuk e dimë se cili libër ka qenë”, ka thënë ajo. “[Protesta] ishte mjaft paqësore”, është shprehur Fisker.

Javën e kaluar, turmat ia kanë vënë flakën Ambasadës së Suedisë në Bagdad, pas planeve për djegie të Kuranit në Stokholm.

Akti i fundit që ka ndodhur në Kopenhagë ka nxitur marshe edhe në kryeqytetin e Jemenit, Sana, ku është shprehur zemërim i thellë për Danimarkën dhe Suedinë, që kanë lejuar akte të tillë.

Shumë kombe myslimane e kanë dënuar këtë akt. Turqia e ka konsideruar incidentin si “sulm të neveritshëm” ndaj Kuranit, derisa Ministria e Jashtme e Algjerisë i ka ftuar për intervistë ambasadorët e Danimarkës dhe Suedisë për t’i dënuar aktet.

Rreth 1.000 protestues në Bagdad kanë tentuar të hyjnë në Ambasadën e Danimarkës, pas incidentit. Edhe në Iran ka pasur protesta të shtunën lidhur me këto akte.

Mediat lokale në Katar kanë raportuar se tregu më i madh i shtetit, Souq Al Baladi i ka larguar të gjitha produktet suedeze nga vitrinat, si shenjë proteste.

Danimarka e ka dënuar djegien e Kuranit duke thënë se “këto akte provokative dhe të turpshme nuk e përfaqësojnë Qeverinë daneze.

Autoritetet e Suedisë e kanë dënuar djegien e librit të shenjtë dhe aktin e kanë konsideruar si islamofobik.

Myslimanët e konsiderojnë përmbajtjen e Kuranit si fjalë të Zotit, dhe çdo dëm që i shkaktohet librit me qëllim, konsiderohet mungesë respekti dhe ofendim i rëndë për ta./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat