Grupi konservator, fushatë për vazhdimin e mbështetjes republikane për Ukrainën

Evropë

Grupi konservator, fushatë për vazhdimin e mbështetjes republikane për Ukrainën

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Një organizatë e re në Uashington do të shpenzojë 2 milionë dollarë në një fushatë që synon të sigurojë mbështetjen e ligjvënësve republikanë për Ukrainën. Përpjekja nisi përpara një beteje për buxhetin në Kongres që ka të ngjarë të rrezikojë financimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

Republikanët për Ukrainën, një projekt i organizatës Mbrojtja e Demokracisë së Bashku, drejtohet nga republikanët Sarah Longwell dhe Bill Kristol.

Kjo nismë ndërmerret në një kohë kur mbështetja për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën po zbehet në mesin e të gjithë votuesve amerikanë, por veçanërisht mes republikanëve konservatorë.

Grupi ka marrë dëshmi nga më shumë se 50 votues republikanë në të gjithë vendin, në të cilat ata shpjegojnë arsyet e tyre për të vazhduar mbështetjen e ndihmës amerikane për Ukrainën. Republikanët për Ukrainën do t'i përdorin videot e tyre në një numër reklamash drejtuar votuesve dhe ligjvënësve republikanë, duke përfshirë reklama të planifikuara për t'u transmetuar gjatë debatit të parë presidencial të partisë javën e ardhshme.

Krijimi i "strukturave të pranueshme"

John Conway, drejtori i strategjisë në organizatën Republikanët për Ukrainën, i tha Zërit të Amerikës se mbështetja për demokracinë jashtë vendit ka qenë historikisht një vlerë thelbësore e Partisë Republikane dhe se qëllimi i grupit është të t’u japë zë votuesve republikanë që ende ndajnë këtë pikëpamje.

"Ne po u japim zë republikanëve të vërtetë dhe konservatorëve që duan që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të luftojnë për demokracinë ukrainase", tha zoti Conway. "Ne do të përdorim dëshmitë e këtyre republikanëve dhe konservatorëve për t'iu kundërvënë shumë zërave më të lartë në Partinë Republikane, të cilët janë të gatshëm të braktisin demokracinë e Ukrainës dhe të kënaqin kërkesat e presidentit rus Vladimir Putin, në luftën e tij në Ukrainë."

Zoti Conway tha se gjatë bisedime të ardhshme mbi shpenzimet qeveritare, grupi i tij do të synojë ligjvënësit republikanë që mund të kenë ndikim në vendimet mbi ndihmën për Ukrainën. Megjithatë, ai tha se grupi po përpiqet gjithashtu të krijojë një strukturë që ndihmon votuesit republikanë të kuptojnë se anëtarësimi në parti dhe mbështetja për Ukrainën nuk janë ndërlidhura me njëra tjetrën.

"Duke shfaqur video mesazhet e republikanëve, njerëzve si ata, krijohen këto struktura të gjërave që janë të pranueshme për anëtarët e Partisë Republikane, madje mund të mos paraqesë problem, që të jesh një mbështetës i zotit Trump dhe njëkohësisht mbështetës i përpjekjeve të Shtetet e Bashkuara në Ukrainë”, tha ai.

Historia e mbështetjes amerikane për Ukrainën

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën që kur Rusia nisi sulmin e saj në shkallë gjerë në shkurt të vitit 2022 ka përfshirë ndihmën ushtarake, financiare dhe humanitare. Kjo mbështetje ka arritur në më shumë se 113 miliardë dollarë, sipas Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrje dhe Llogaridhënie, raporton VOA.

Aktualisht, administrata e Presidentit Joe Biden thotë se ka fonde të mjaftueshme për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në nivelet aktuale për disa muaj të tjerë. Javën e kaluar, Presidenti Biden kërkoi që Kongresi të miratojë një fond shtesë prej 24 miliardë dollarësh për të ruajtur mbështetjen në vitin fiskal 2025, i cili fillon në tetor.

Pas kthimit në Uashington nga pushimet e gushtit, ligjvënësit do të kenë kohë deri në fund të shtatorit për të rënë dakord për një projekt-ligj më të gjerë të shpenzimeve qeveritare ose rrezikojnë të shkaktojnë një mbyllje të pjesshme të qeverisë që nga 1 tetori.

Dallimet mes ligjvënësve republikanë

Midis figurave të shquara të Partisë Republikane, ka një gamë të gjerë qëndrimesh për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Ish-presidenti Donald Trump, i cili aktualisht kryeson garën për të marrë emërimin e partisë si kandat i saj presidencial në zgjedhjet e vitit 2024, në një intervistë në maj, refuzoi të angazhohej për të mbështetur Ukrainën Në të kaluarën, ai i është referuar sulmit të Putinit ndaj Ukrainës si "gjenial".

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell riafirmoi së fundmi mbështetjen e tij për Ukrainën. Në një intervistë për rrjetin Politiko ai e quajti luftën në Ukrainë si, “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në botë”. Senatori republikan Lindsey Graham, një përkrahës i zëshëm i aspiratave të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, ka vazhduar gjithashtu të shprehë mbështetjen për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Por republikanë të tjerë në Senat, si Josh Hawley nga Misuri dhe J.D. Vance nga Ohio, kanë shprehur hapur skepticizmin lidhur me ndihmën e vazhdueshme për Ukrainën.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë shumicën, numri i anëtarëve që kundërshtojnë vazhdimin e ndihmës financiare për Ukrainën është i lidhur ngushtë me votuesit.

Kjo nënkupton se do të jetë e vështirë që të miratohet një projektligj që kërkon më shumë fonde pa një mbështetje të gjerë nga demokratët.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka thënë se ai nuk do të lejojë që të sillet për votim ndonjë projektligj shtesë për financimin e Ukrainës, çka do të thotë se çdo ndihmë financiare për Ukrainën duhet të jetë pjesë e një projektligji më të madh shpenzimesh.

Bie mbështetja për Ukrainën

Mbështetja mes amerikanëve për ta ndihmuar financiarisht Ukrainën ishte e lartë dhe dypartiake në ditët e para të agresionit rus, por mbështetja ka rënë ndërsa zvarritet lufta dhe shtohet kostoja. Në skenë janë shfaqur edhe dallime të mëdha të qëndrimit mes demokratëve dhe republikanëve.

Një sondazh i kohëve të fundit nga CNN dhe kompania kërkimore SSRS gjeti se 51% e amerikanëve besojnë se SHBA-të kanë bërë mjaft për të mbështetur Ukrainën, ndërsa 48% thonë se duhet të bëjë më shumë.

I njëjti sondazh gjeti se 55% e amerikanëve besojnë se Kongresi nuk duhet të autorizojë fonde shtesë për Ukrainën, ndërsa 45% thonë të kundërtën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat