Investimet ruse në Malin e Zi

Evropë

Investimet ruse në Malin e Zi

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 19:14
Foto ilustrim

Banka Qendrore për investimet e huaja në Podgoricë njoftoi se shtetasit rusë janë investitorët më të mëdhenj të huaj në Mal të Zi për periudhën janar-maj të këtij viti. Analistët thojnë se investimet dhe kapitali rus është një dukuri e hershme në Malin e Zi, e cila vazhdon edhe sot. Kjo konfirmon se pavarësisht nga marrëdhëniet e dëmtuara diplomatike mes Malit të Zi dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, qytetarët rusë ende shkojnë në masë të madhe në Mal të Zi për të investuar.

Banka Qendrore për investimet e huaja në Malin e Zi, bëri të ditur se shtetasit rusë janë investitorët më të mëdhenj të huaj në vend, për periudhën janar-maj të këtij viti.

Të dhënat e fundit të këtij institucioni tregojnë se gjatë kësaj periudhe ata kanë investuar afro 53 milionë euro, më së shumti për blerjen e pasurive të patundshme, rreth 30 milionë euro.

Sipas analistëve kjo konfirmon se pavarësisht nga marrëdhëniet e dëmtuara diplomatike mes Malit të Zi dhe Rusisë, për shkak të krizës ukrainase dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, qytetarët rusë ende vijnë në masë të madhe në Mal të Zi dhe sjellin kapitalin e tyre për të investuar aty.

Investimet dhe kapitali rus, sipas analistëve është një dukuri e hershme në Malin e Zi, e cila vazhdon në forma të ndryshme edhe sot.

Analisti Nail Draga tha se kjo dukuri në Malin e Zi nisi që nga viti 2008 për të vazhduar deri më sot.

“Tranferimi i parave nga Rusia drejt Malit të Zi nuk është dukuri e panjohur për arsye se në vitin 2008-2010 janë tranferuar një shumë e madhe e parave dhe kjo dukuri vazhdon edhe sot, por në një formë të modifikuar. Në dimensionin politik nuk është ndonjë befasi pasi në Mal të Zi pothuajse janë të instaluara partitë pro-serbe dhe pro-ruse, të cilët kanë një mision të veçantë që të përfitojnë nga situate aktuale”, tha zoti Draga.

Ndërkaq analisti Bekim Çoba tha se ndikimi i ekonomisë ruse në Mal të Zi ishte shumë i madh si para ashtu edhe pas pavarësisë.

“Ndikimi i ekonomisë ruse, si para ashtu edhe pas pavarësisë, ka pasë një ndikim shumë të madh. Kujtojmë se pronari i ndërmarrjes më të madhe në Main e Zi “Kombinati i Aluminit” ishte Oleg Deripaska, njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngusht të presidentit rus, Vladimir Putin. Që në atë kohë ekzistonte tendenca e Rusisë për të pasur një ndikim më të madh në Ballkan e sidomos në Malin e Zi”, tha zoti Çobaj.

“Ndoshta ajo që e bën dallimin nga koha e pëparshme është se kohëve të fundit investimet janë të individëve dhe jo të ndërmarrjeve të mëdha ruse, të cilët e shohin Malin e Zi si një vend ku mund të blejnë pasuri të patundshme, ta regjistrojnë atë dhe Malin e Zi ta shfrytëzojnë si një vend pushimi dhe strehimi gjatë kohës që largohen nga Rusia”, tha zoti Çoba.

Analisti dhe njohësi i mirë i çështjeve politike, zoti Nail Draga shpreson që qeveria e re malazeze do ti ndërmarrë hapat e nevojshme në parandalimin e kësaj dukurie.

“Jemi në pritje të formimit të qeverisë së re dhe ndoshta ata do të marrin hapa vendimtar për këto transfera dhe për të zbuluar prejardhjen e këtyre mjeteve financiare, që kohëve të fundit janë bërë sinonim i investimeve ruse në Malin e Zi”, tha zoti Draga.

Mali i Zi ka patur lidhje historike dhe tepër të ngushta me Rusinë dhe Serbinë deri kur u bashkua me NATO-n në vitin 2017.

Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti, një vit më parë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde.

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat