Michel do të propozojë zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030

Evropë

Michel do të propozojë zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 10:28
Charles Michel

Bashkimi Europian duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, thuhet në fjalimin e kreut të Këshillit Europian, Charles Michel, të cilin ai pritet ta mbajë të hënën në Slloveni.

“Nëse duam që ata të na besojnë, duhet të flasim për afatin kohor. Ndërsa përgatitim axhendën e ardhshme strategjike të BE-së, duhet të vendosim një objektiv të qartë, duhet të jemi gati për zgjerim”, thuhet në dokumentin e cituar ndër të tjera nga Financial Times.

Politikani belg do të flasë në forumin në Bled para një auditori që do të përfshijë liderët e vendeve kandidate për anëtarësim në BE – Moldavi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Duke iu referuar çështjes së disa ditëve më parë nga Athina, Michel theksoi në mënyrë karakteristike se “Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia kanë një trashëgimi, histori dhe të ardhme të përbashkët europiane.

"Zgjerimi mbetet një prioritet kryesor për Bashkimin Europian, një mjet i fuqishëm për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në kontinentin tonë. Ne duhet të gjejmë rrugën përpara për ta bërë realitet këtë vizion të Europës”.

Udhëheqësit e BE-së do të zhvillojnë debatin e tyre të parë të dedikuar mbi këtë çështje në qytetin spanjoll të Granadës në fillim të tetorit. Kujtojmë se më 28 shkurt 2022, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi një kërkesë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin e tyre në Bruksel më 23 qershor 2022 miratuan dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat