Schmidt iu përgjigj kërcënimeve të Dodikut: Në ditët në vijim do të shkoj në Republika Srpska, nuk mund të më arrestoj

Evropë

Schmidt iu përgjigj kërcënimeve të Dodikut: Në ditët në vijim do të shkoj në Republika Srpska, nuk mund të më arrestoj

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 00:35
Christian Schmidt dhe Dodik

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, komentoi për mediat gjermane kërcënimet e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, se do të arrestohej nëse do të shkelte në territorin e atij entiteti.

Schmidt thotë se do të shkojë në Republika Srpska dhe nuk përjashtoi mundësinë e shkarkimit të Dodikut nëse vazhdon me lëvizje të tepruara.

Në një intervistë që zyrtari gjerman dha për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai shpjegoi se si planifikon t’i përgjigjet kërcënimit të Dodikut duke thënë se “sigurisht” do të vazhdojë të udhëtojë në Republika Srpska dhe sjelljen e liderit të serbëve të Bosnjës e quajti “çmenduri politike”.

“Unë me të vërtetë kam takime në Republika Srpska në ditët dhe javët në vijim, veçanërisht në Banja Lluka, por edhe në qytete të tjera”, tha Schmidt, duke shtuar se Dodik duhet të ndalojë “çmendurinë e tij egocentrike”.

Ai shpjegoi edhe pse arrestimi i tij është i pamundur nga pikëpamja ligjore, raporton klix.ba.

“Përveç faktit se unë jam subjekt i Konventës Diplomatike të Vjenës dhe gëzoj imunitet, Dodik nuk do të kishte autoritet të urdhëronte arrestimin, sepse ai nuk ka autoritet për të dhënë udhëzime për policinë”, tha ai.

Schimdt paralajmëron Dodikun se duhet të përgatitet “për momente të pakëndshme për të”.

I pyetur nëse do ta largonte Dodikun dhe si do ta bënte, Schmidt iu shmang përgjigjes, “këto janë konsiderata që nuk janë paraqitur paraprakisht. Do të shohim se si do të merret bashkësia ndërkombëtare me dikë që është aleat i ngushtë i Vladimir Putinit”.

Duke folur nëse mund të kishte mbështetjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në rast të ndonjë veprimi kundër Dodikut, Schmidt deklaroi se “do të shohim nëse njoftimi i Dodikut është thjesht një bisedë boshe apo nëse do të ketë më shumë, atëherë do të jetë shumë serioze. Unë nuk jam në asnjë mënyrë gati për kompromise”.

Ndryshe, Dodik ka deklaruar se do ta arrestojë Schmidit në momentin që do të shkel Republika Srpska ndërsa nëse gjermani do të nënshkruajë ligjin për pronat shtetërore, atëherë Republika Srpska do ta shpallë pavarësinë prej Bosnje-Hercegovinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat