Të paktën dhjetë të vdekur dhe katër të zhdukur nga përmbytjet në Greqi

Evropë

Të paktën dhjetë të vdekur dhe katër të zhdukur nga përmbytjet në Greqi

Më: 9 shtator 2023 Në ora: 12:13
Greqi

Dhjetë të vdekur dhe katër të tjerë të zhdukur, deri më tani bilanci tragjik i stuhisë “Daniel”, që goditi Greqinë dhe përveç viktimave shkaktoi dëme që llogariten në miliarda euro.

Qindra njerëz në Greqi janë bllokuar në fshatrat e përmbytura në rajonin e Thesalisë edhe pse moti është stabilizuar dhe nivelet e ujit vazhdojnë të rriten në pjesë të Greqisë qendrore ndërsa zjarrfikësit dhe helikopterët ushtarakë nxjerrin njerëzit nga fshatrat e përmbytura.

Trafiku në autostradën Athinë-Selanik është ndërprerë për shkak të sasisë së shtuar të ujit, raporton dw.

Gjatë natës, niveli i Pinios, lumit më të madh në Thesali, i ka kaluar 10 metrat dhe janë përmbytur edhe zonat e banuara përreth Larisës, kryeqytetit të rajonit.

I groposur në baltë dhe rrënoja është qyteti i Volos. Rrjeti i ujësjellësit është tërësisht i shkatërruar.

Në pjesën jugore të gadishullit të Pelionit, 11 vendbanime janë shkëputur nga pjesa tjetër e botës, ndërkohë që nuk ka ujë dhe energji elektrike për të katërtën ditë radhazi.

Është shtyrë për një javë fillimi i vitit shkollor në rajonin e Thesalisë.

“Prioriteti është shpëtimi i atyre njerëzve që janë në rrezik dhe menjëherë pas kësaj të riparohen dëmet”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili vizitoi zonën e prekur të Thesalisë.

Ai shprehu besimin se ka fonde për pagesën e dëmshpërblimeve dhe riparimin e të gjithë infrastrukturës, si dhe se do të nevojitet edhe mbështetje nga fondet evropiane. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat