Beshiri: Daljet publike të Aleksandar Vuçiqit janë demagogji, regjimi i tij po bën gjithçka që serbët ta urrejnë BE-në

Evropë

Beshiri: Daljet publike të Aleksandar Vuçiqit janë demagogji, regjimi i tij po bën gjithçka që serbët ta urrejnë BE-në

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 10:56
Naim Leo Beshiri

Naim Leo Beshiri nga Instituti për Çështje Evropiane ka deklaruar presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përpiqet të largojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet e përditshme me demagogji.

Beshiri për mediet serbe thekon se është shumë më e lehtë t’u shpjegosh qytetarëve serbë se një sallamë do të jetë 17 dinarë më i lirë, se sa të nevojiten reforma që do të çojnë në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ai ka përkujtuar se Vuçiqi ka qenë në pushtet në Serbi më gjatë se krimineli Sllobodan Millosheviq dhe se ka kontroll absolut mbi pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor në vend.

“Edhe pse institucionet e shtetit janë të ndara, ne jetojmë në një sistem që evokon atë se çfarë ka ndodhur në vitet 90-ta, kur ke një person që kontrollon absolutisht të gjitha pjesët e shoqërisë, përfshirë edhe mediat. Nëse kontrolloni gjithçka, mund të zbatoni reforma. Jo për shkak të Bashkimit Evropian, por qytetarët e Serbisë e presin këtë nga qeveria e tyre. Por, ju vendosni të bëni demagogji për 10 vjet, të flisni se jeta jonë do të jetë më e mirë për dy vjet dhe të na shisni historinë se një sallamë më i lirë do të jetë një sukses për jetët tona”, ka thënë Beshiri.

Analisti Beshiri shton se mënyra se si qeveris presidenti serb tregon se ai dëshiron të qëndrojë sa më gjatë në pushtet, në mënyrë që t’u “rrëmbejë sa më shumë para qytetarëve të Serbisë” për veten dhe njerëzit rreth tij.

“Ne e kemi naftën më të shtrenjtë në rajon, kostoja e jetesës është gjithnjë e më e shtrenjë dhe kjo vërehet çdo muaj nga qytetarët që kanë të ardhura drastike më të larta se mesatarja në Serbi. Ju keni ato zinxhirë të shitjes me pakicë ku çmimet janë si në Berlin apo Barcelonë. Nuk është mirë për qytetarët e këtij vendi. Edhe pse shifrat tregojnë paga më të larta, kur sheh çfarë mund të blesh me ato para, ne jemi padyshim më të varfër”, theksoi ai.

Ai shton se korrupsioni dhe krimi në vend po rriten deri në atë masë sa që kemi aferën “Jovanjica” në të cilën shteti serb ka organizuar prodhimin e narkotikëve.

Duke folur për marrëdhëniet e Qeverisë së Serbisë me komunitetin evropian, Beshiri beson se regjimi i Vuçiqit po “bën gjithçka që qytetarët ta urrejnë Bashkimin Evropian”.

“Ju keni medie që janë nën kontrollin e Qeverisë e që flasin çdo ditë negativisht për Bashkimin Evropian. Ata thonë se BE-ja po na shantazhon, se njerëzit në Gjermani nuk kanë çfarë të hanë dhe se Serbia është ekonomikisht më e mirë se Gjermania. Ju e keni propagandën e bërë nga Qeveria me qëllim që t’i pengoni qytetarët që të bëjnë presion mbi ta për të kryer reformat që e çojnë Serbinë drejtë BE-së”, ka përfunduar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat