Bullgarët e akuzuar si spiunë rusë, dalin para gjykatës në Britani

Evropë

Bullgarët e akuzuar si spiunë rusë, dalin para gjykatës në Britani

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 06:21
Foto ilustrim

Pesë shtetas bullgarë të akuzuar si pjesë e një rrjeti spiunazhi rus në Britani, të ngarkuar me detyra të tilla si vëzhgimi si dhe marrja e informacionit lidhur me objektiva të caktuar, u shfaqën të martën në një gjykatë në Londër. Seanca u transmetua përmes pamje filmike.

Pesë personat, tre burra dhe dy gra, akuzohen se mes 30 gushtit 2020 dhe 8 shkurtit 2023 kanë komplotuar "për të mbledhur informacione që synonin që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte t’i shërbenin një vend armik”, një qëllim që sikurse thuhet në aktakuzë, dëmton sigurinë dhe interesat e vendit (Britanisë).

Orlin Roussev 45 vjeç, Bizer Dzhambazov, Katrin Ivanova 31 vjeç, Ivan Stoyanov 31 dhe Vanya Gaberova 29, të gjithë shtetas bullgarë që jetonin në Londër dhe Norfolk, u arrestuan nga policia kundër terrorizmit në shkurt të këtij viti.

Ata nuk e bënë të ditur qëndrimin e tyre para gjykatësit lidhur me akuzat dhe u lanë në paraburgim deri në paraqitjen e tyre të radhës, në gjykatën Old Bailey të Londrës, më 13 tetor.

Ndërkohë ndaj tre prej tyre, Orlin Roussev-it, Bizer Dzhambazov-it, Katrin Ivanova-it, rëndonin akuza për veprime të paligjshme të lidhura me dokumentet e identitetit. Ata do të paraqiten në Old Bailey të enjten lidhur me këto akuza.

Duke folur mbi akuzat, prokurorja Kathryn Selby tha para gjykatës se të pandehurit akuzoheshin se ishin pjesë e një rrjeti të organizuar që kishte kryer përgjime dhe veprime armiqësore në emër të Rusisë kundër objektivave specifike, përfshirë edhe plane për rrëmbime të mundshme.

Zonja Selby tha se shtëpia e zotit Roussev ishte qendra e supozuar operative e grupit në Britani dhe shtoi se rrjetit i ishin dhënë detyra nga një person i njohur si Jan Marsalek.

Zoti Marsalek, ish-shefi operativ i kompanisë së falimentuar të pagesave ‘Wirecard’, kërkohet nga policia gjermane lidhur me akuza për mashtrim. Vendndodhja e tij aktualisht nuk dihet.

Ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë në Britani, por ndërkohë është përmendur si një bashkëpunëtor i dyshuar në akuzat kundër pesë shtetasve bullgarë. Zyra e avokatit të zotit Marsalek refuzoi të komentonte.

Britania ka kërkuar të ndërmarrë veprime më të ashpra ndaj kërcënimeve të jashtme mbi sigurinë e ndaj spiunëve të mundshëm. Për këtë qëllim në korrik, ky vend miratoi një ligj mbi sigurinë kombëtare, që synoi rishikimin e mjeteve të saj për të frenuar spiunazhin dhe ndërhyrjet e huaja, me mjete të reja dhe dispozita penale.

Në atë kohë, qeveria e etiketoi Rusinë si "kërcënimin më akut" ndaj sigurisë së saj. Ambasada ruse në Londër nuk i është përgjigjur ende një kërkesë për koment mbi rastin që përfshin 5 shtetasit bullgarë.

Nëntorin e kaluar, shefi i spiunazhit britanik tha se më shumë se 400 spiunë të dyshuar rusë, ishin dëbuar nga Evropa, çka u konsiderua si "goditja strategjike më e rëndësishme" kundër Moskës në vitet e fundit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat