Polonia mban zgjedhje kritike për të ardhmen e vendit

Evropë

Polonia mban zgjedhje kritike për të ardhmen e vendit

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Polonia po mban të dielën zgjedhje kritike që kanë mobilizuar shumë votues, ku partia nacionaliste konservatore në pushtet përballet me grupet opozitare që e akuzojnë atë për gërryerjen e themeleve të sistemit demokratik.

Partia në pushtet për Ligj dhe Drejtësi, ka një bazë të përkushtuar përkrahësish në vendin prej 38 milionë banorësh, të cilët vlerësojnë mbrojtjen e traditave katolike dhe programet e saj sociale për pensionistët dhe familjet me fëmijë, të cilat kanë lehtësuar jetesën për njerëzit në vështirësi.

Por mbështetja për partinë ka rënë që nga zgjedhjet e fundit në 2019 – kur ajo fitoi gati 44% të votave – mes inflacionit të lartë, akuzave për nepotizëm dhe mosmarrëveshjeve me aleatët evropianë në një kohë kur vendi ka pasur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Ukrainës.

Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për partinë për Ligj dhe Drejtësi është mbi 30%, duke e bërë atë partinë individuale me mbështetjen më të madhe, por kjo nuk e përjashton mundësinë që ajo të të humbasë shumicën e saj në parlament.

Ka spekulime se asaj mund t’i duhet mbështetja e partisë së Konfederatës së ekstremit të djathtë për të qeverisur, megjithëse të dyja partitë e kanë përjashtuar deri tani këtë mundësi.

Shumë polakë mendojnë se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që nga viti 1989, kur u vendos demokracia pas dekadave nën komunizëm.

Sondazhet e ditëve të fundit sugjerojnë se partitë opozitare kanë një shans për t'i privuar populistët në qeverisje nga një mandat i tretë i paprecedentë.

Koalicioni Qytetar, Rruga e Tretë dhe E Majta e Re kanë bërë fushatë me premtimet për të rivendosur sundimin e ligjit dhe përmirësimin e lidhjeve me BE-në dhe aleatët e tjerë nëse arrijnë të fitojnë pushtetin.

Rezultati përfundimtar i votimit mund të përcaktohet nga diferencat e lehta të votave të partive më të vogla./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat