Nivelet e ndotjes së ajrit në Evropë ‘ende shumë të larta’

Evropë

Nivelet e ndotjes së ajrit në Evropë ‘ende shumë të larta’

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 09:20
Foto ilustrim

Nivelet e ndotjes në Evropë janë ende shumë të larta pavarësisht një përmirësimi në cilësinë e ajrit, sipas një raporti të ri nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (AEM).

Vlerësimi i fundit shëndetësor i cilësisë së ajrit i publikuar të premten thekson se të 27 vendet anëtare të BE-së nuk po arrijnë të përmbushin standardet e tyre, e lëre më ato të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), dhe se kjo po kërcënon shëndetin e evropianëve.

“Ka sigurisht shumë ndotës të ndryshëm të ajrit, por ata zgjedhin atë që është më i rëndë apo më i dëmshëm janë grimcat e imëta”, tha Leena Ylä-Mononen, Drejtore e Agjencisë Evropiane të Mjedisit për Euronews.

“Përllogaritja e fundit është se 253 mijë vdekje mund t’i atribuohen këtij ndotësi (në vitin 2021) dhe këto me të vërtetë mund të parandalohen me masat e duhura”.

Numri i vdekjeve të lidhura me përqendrimet e grimcave të imta ra me 41 për qind midis 2005 dhe 2021, por AEM-ja paralajmëroi se shtetet anëtare duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ulur më tej nivelet.

Ndotja e dioksidit të azotit është përgjegjëse për rreth 52 mijë vdekje, ndërsa ekspozimi afatshkurtër ndaj ozonit është përgjegjës për 22 mijë vdekje të atribuara në BE.

Në qytete, transporti është burimi kryesor i ndotjes. Në disa rajone, ngrohja shtëpiake duke përdorur lëndë djegëse të ngurta, si qymyri ose druri, gjithashtu ndikon në cilësinë e ajrit. Të gjitha këto fenomene kumulative mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë sëmundjen, sipas drejtorit të AEM-së.

“Në rastet më të rënda, ai shkakton sëmundje që çojnë shpejt në vdekje. Kanceri i mushkërive është një shembull”, tha Ylä-Mononen.

Agjencia evropiane thekson gjithashtu se ndryshimet klimatike dhe në veçanti rritja e temperaturave në qytete kërcënojnë cilësinë e ajrit dhe rrjedhimisht shëndetin e evropianëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat