​Charles Michel do të kandidojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor

Evropë

​Charles Michel do të kandidojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor

Më: 7 janar 2024 Në ora: 20:18
Charles Michel

Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel ka thënë se do të kandidojë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor dhe do të largohet nga posti i tij në mes të korrikut nëse zgjidhet.

“Kam vendosur të kandidoj si kandidat në zgjedhjet evropiane të vitit 2024”, tha Michel në një intervistë për gazetën “De Standaard”.

Nëse ai zgjidhet anëtar i Parlamentit Evropian, Michel tha se do të vazhdojë detyrat e tij aktuale deri në ceremoninë e betimit në mes të korrikut dhe më pas do të largohet.

Michel premtoi se do të respektonte plotësisht rregullat etike të BE-së gjatë fushatës zgjedhore dhe se liderët e BE-së mund të vendosin për zëvendësimin e tij në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.

Është për herë të parë që një president në detyrë i Këshillit të BE-së do të jetë kandidat për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

Michel, i cili do të kandidojë nga Partia Liberale Frankofone në Belgjikë, fillimisht pritej të vazhdonte mandatin e tij deri në fund të nëntorit kur do të formohej komisioni i ri.

Michel, i cili mori detyrën më 1 dhjetor 2019, kishte shërbyer më parë si kryeministër i Belgjikës.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në vendet anëtare të BE-së në datat 6-9 qershor.

Gjithsej 720 anëtarë, përfshirë 22 nga Belgjika, do të zgjidhen për mandatin pesëvjeçar të Parlamentit Evropian.

Më 17 qershor dhe 27-28 qershor, liderët e BE-së do të mbajnë një samit, ku do të emërohet presidenti i ri i Këshillit të BE-së.

Nëse liderët e BE-së nuk mund të vendosin për presidentin e ri të këshillit, Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, i cili do të merr presidencën mandatore të Këshillit të BE-së nga korriku, do të marrë rolin e presidentit të këshillit atëherë.

Detyrat e presidentit të Këshillit të BE-së përfshijnë kryesimin e takimeve, prezantimin e raporteve në takime, përcaktimin e agjendave, ndihmën për arritjen e konsensusit brenda BE-së dhe përfaqësimin e bllokut në nivelin e liderëve jashtë. /AA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat