Kancelari gjerman Olaf Scholz i bashkohet tubimit kundër të djathtës ekstreme

Evropë

Kancelari gjerman Olaf Scholz i bashkohet tubimit kundër të djathtës ekstreme

Më: 14 janar 2024 Në ora: 23:36
Kancelari gjerman Olaf Scholz

Mijëra njerëz – përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe ministren e tij të Jashtme, Annalena Baerbock – dolën në rrugët e Berlinit të dielën për të protestuar ndaj ekstremizmit të së djathtës ekstreme.

Tubimi vjen disa ditë pasi një raport investigativ tha se ekstremistët e krahut të djathtë dhe politikanët nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë ishin takuar për të diskutuar planet për dëbimin e miliona emigrantëve nga Gjermania, shkruajnë mediat e huaja.

Rreth 10,000 njerëz iu bashkuan tubimit të së dielës në zonën e tregut të vjetër ose Altmarkt tha kryebashkiaku i Potsdamit, Mike Schubert, i cili kishte bërë thirrje për protestë.

Potsdami është kryeqyteti i shtetit të Brandenburgut, i cili kufizohet me Berlinin, dhe Scholz dhe Baerbock jetojnë atje.

Demonstruesit mbanin postera me slogane të tilla si “Ne qëndrojmë së bashku” dhe të tjera që lavdëronin një popullsi shumë-etnike.

“Unë jam duke qëndruar këtu si një nga mijëra banorët e Potsdamit që po ngrihen për demokracinë dhe kundër fashizmit të vjetër dhe të ri”, ka thënë Baerbock për dpa.

Udhëheqësit e partive lokale nga Partia Social Demokratike (SPD) e Scholz-it, Unioni Kristian Demokrat konservator (CDU), të Gjelbrit dhe partia e Majtë morën gjithashtu pjesë në tubim.

Protesta erdhi si përgjigje ndaj raportimeve për një takim në nëntor, ku morën pjesë edhe anëtarë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë ku supozohet se u fol për deportimin ose “emigrimin” e emigrantëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat