Presioni në mediat ukrainase kërcënon mesazhet e Zelenskyt drejt Perëndimit

Evropë

Presioni në mediat ukrainase kërcënon mesazhet e Zelenskyt drejt Perëndimit

Më: 22 janar 2024 Në ora: 08:09
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Më 16 janar, një platformë pak e njohur, e quajtur E Vërteta e Njerëzve (The People’s Truth) ka publikuar incizime të telefonatave private në mes të disa ukrainasve, duke diskutuar blerjen e drogave siç janë marihuana, MDMA, dhe metamfetamina, si dhe një video, në të cilën janë parë disa njerëz duke përdorur narkotikë, në një shtëpi pushimi.

Personat në video kanë punuar si operatorë kamerash për Bihus.Info, një medium i pavarur për hulumtime, me bazë në Kiev, i cili ka publikuar disa prej analizave më të fuqishme për korrupsion për elitën ukrainase, në dekadën e fundit.

Duke e publikuar videon në kanalin e platformës People Truth në YouTube, me titullin “Ana tjetër e Bihus.Info”, videoja ka pasur për qëllim që të diskreditojë portalin, kanë thënë gazetarët ukrainas dhe vëzhguesit e mediave.

Dy ditë më herët, disa burra të paidentifikuar kanë tentuar të hyjnë me forcë në shtëpinë e Yuriy Nikolovit, kryeredaktorit të Nashi Hroshi, një faqeje tjetër online, të njohur për analiza të thella për shpenzimet qeveritare.

Ata kanë kërkuar që Nikolovi t’i bashkohet ushtrisë për të luftuar kundër pushtimit rus.

Këto raste janë pjesë e një serie të fushatave me presion që shënjestrojnë gazetarët ukrainas, duke rritur shqetësimet për një problem sistematik. Kërcënimet zakonisht bëhen prej llogarive anonime në mediat sociale si Telegrami, duke e bërë të vështirë që të gjendet fajtori.

Mediumet e ndryshme dhe grupet vëzhguese dyshojnë për përfshirje qeveritare, përfshirë administratën e presidentit Volodymyr Zelensky.

Daria Zarivna, këshilltare e lartë për Andriy Yermakun, shefin e stafit të presidentit Zelensky, e ka hedhur poshtë mundësinë për lidhje të pushtetit me kanalet anonime në Telegram.

Dy incidentet vijnë në një moment kritik për Zelenskyn, i cili po tenton të bindë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën që të vazhdojnë të ndajnë ndihmë për Ukrainën, që ky vend të mund të luftojë pushtimin rus.

Zelensky e ka përsëritur disa herë në Uashington, Bruksel dhe kryeqytetet perëndimore se kombi i tij është në front të luftës, në betejën botërore në mes të demokracive dhe regjimeve autoritare.

Një paketë për shpenzime, që përfshin rreth 61 miliardë dollarë, kryesisht si ndihmë ushtarake për Ukrainën, është bllokuar në Kongresin amerikan që tre muaj.

Teksa gjërat brenda Ukrainës nuk janë në momentin më të mirë, disa ligjvënës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, kanë përmendur disa shqetësime për korrupsionin dhe nivelin e demokracisë në Ukrainë.

“Ne, si shtet, jemi duke mbrojtur demokracinë, duke mbrojtur vlerat. Ne jemi demokraci duke e luftuar djallin. Dhe sërish, përballemi me kësi gjërash që janë në kundërshtim me vlerat që ruajmë”, ka thënë Oksana Romanyuk, drejtore në Institutin për Informim Masiv, me bazë në Kiev, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Denys Bihus, themelues i Bihus.Info, ka thënë se rishikimi i videove dhe thirrjeve telefonike, të postuara nga platforma The People’s Truth, sinjalizon që punëtorët e saj kanë qenë nën vëzhgim nga më shumë se 30 individë për disa muaj, nëse jo vite.

Ai ka thënë se dikush ka instaluar kamera vëzhgimi në dhomë, një ditë pasi që punëtorët kanë arritur në pushimore. Bihus ka thënë se dyshon që shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë qenë mbrapa vëzhgimit.

Autoritetet për zbatim të ligjit kanë nisur hetime për incidentin.

Nikolov, po ashtu, e ka akuzuar shtetin se ka qenë mbrapa vizitës kërcënuese në banesën e tij, duke e quajtur atë veprim “përgjigje qeveritare ndaj kritikave për presidentin”.

Nikolov ka publikuar një prej materialeve më të fuqishme më 2023 në Ukrainë, kur ka raportuar se Ministria e Drejtësisë ka blerë vezë për trupat ushtarake, me çmim të fryrë.

 

 

Ky skandal korrupsioni ka ngritur pyetje për mënyrën si është duke u shfrytëzuar ndihma e Perëndimit, dhe ka detyruar Zelenskyn që t’i shkarkojë disa zyrtarë.

‘Veprime ilegale’

Yaroslav Yurchyshyn, zëvendës i partisë opozitare Holos, dhe udhëheqës i Komitetit për Liri të Shprehjes në Parlamentin e Ukrainës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se incizimet dhe vëzhgimet e punëtorëve të Bihusit, kanë qenë “veprime ilegale” dhe ka bërë thirrje për hetime.

Mediarukh, organizatë që përbëhet prej gazetarëve dhe ekspertëve të mediave, i ka quajtur këto veprime, “shkelje e pastër e të drejtës së gazetarëve për privatësi”, dhe ka thënë se ata po minojnë kredencialet demokratike të Ukrainës.

Gjatë një deklarimi më 17 janar, Zelensky ka thënë se presioni ndaj gazetarëve është i “papranueshëm”.

Disa orë më vonë, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, ka thënë se ka nisur hetime për veprimet që kanë shënjestruar Bihus.Info.

Mirëpo disa gazetarë dhe analistë mediash janë duke kërkuar më shumë.

Romanyuk i ka bërë thirrje Zelenskyt që personalisht të mbikëqyrë hetimin për këto incidente.

Për dekada, kritikët qeveritarë kanë thënë se sistemi i drejtësisë nuk funksionon në Ukrainë, kur bëhet fjalë për hetim dhe ndëshkim të krimeve të kryera prej njerëzve në pushtet.

Në deklaratën e 17 tetorit, Mediarukh ka thënë se edhe mediat tjera, përfshirë Ukrayinska Pravda, NV, Tsenzor, Vavilon dhe Liga.net, janë përballur me presion të ngjashëm.

Në disa raste është raportuar për sulme ndaj gazetarëve përmes kanaleve në Telegram.

Platforma The People’s Truth, e cila ka publikuar informacionin komprometues për Bihus.Info, duket se është faqe e rreme, sipas ekspertëve, dhe biografitë e stafit duhet se janë të krijuara rrejshëm.

Deri disa javë më parë, ajo nuk ka pasur asgjë të publikuar në llogarinë në YouTube, të cilën e ka që pesë vjet.

Romanyuk i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sulmet në media duket se janë sistematike.

Sipas saj, situata ngjan me ditët e presidentit të afërt me Moskën Viktor Yanukovych, kur shumë gazetarëve u është bërë presion gjatë protestave të vitit 2013-2014, të cilat kanë rezultuar me rrëzimin e tij prej pushtetit.

Mykyta Poturayev, udhëheqës i Komitetit parlamentar për Politika Informative dhe Humanitare, dhe anëtar i partisë së Zelenskyt, është pajtuar me këtë vlerësim.

“Kjo nuk ka ndodhur në shtetin tonë për kohë të gjatë. Kjo nuk ka ndodhur prej kohës së Yanukovychit”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Shqetësimet për media të lira

Edhe para valës së fundit të presionit kundër gazetarëve, ka pasur shqetësime për shkallën e lirisë në media, nën qeverisjen e Zelenskyt, aktorit komik që ka pasur në pronësi një kompani të suksesshme të produksonit televiziv.

Prej kur e ka shpallur kandidaturën për president në televizionin publik, më 31 dhjetor 2018, Zelensky shpesh ka mbajtur distancë me mediat ukrainase, duke preferuar që të japë mesazhet për publikun përmes rrjeteve sociale.

Ai rrallë mban konferenca për media me gazetarët lokalë.

Ai mund të bëhet, me raste, i ashpër, kur i bëhen pyetje të vështira nëpër konferenca.

Disa ditë pasi gazetari Yuriy Butusov është përfshirë në debat të nxehtë me Zelenskyn, në një konferencë më 2021, zyrtarë për zbatim të ligjit kanë nisur hetime për një postim të Butusovit në rrjetet sociale.

Butusov e ka konsideruar gjithë këtë si hakmarrje, diçka që autoritetet e kanë mohuar.

Zelensky është përballur edhe me manjatët, televizionet e të cilëve kanë qenë kritike për udhëheqësinë e tij.

Më 2021, kur ka pasur rënie të mbështetjes, Zelensky i ka mbyllur tri stacione televizive, që besohet se kanë qenë në pronësi të Viktor Medvedchuk, ndihmësit të presidentit rus, Vladimir Putinit, i cili më vonë është ndaluar nën akuzat për tradhti dhe është dërguar në Rusi në një këmbim të të burgosurve.

 

Stacionet, të cilat i ka mbyllur Zelensky, kanë qenë të akuzuara se kanë qenë vegla ruse.

Disa muaj më vonë, Zelensky e ka dërguar në parlament një projektligj kontrovers, që parashihte detyrim ndaj miliarderëve që kontrollonin mediat, që t’i shisnin asetet, nëse synonin të ishin pjesë e jetës politike.

Ekspertët patën ngritur dyshime se ligji do të mund të aplikohej vetëm në baza selektive.

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, administrata presidenciale e ka miratuar masën e gjendjes së luftës për të fituar më shumë ndikimin edhe në media.

Katër stacione kryesore, që kanë qenë në duart e manjatëve, kanë bashkëpunuar me dy kanale shtetërore për të prodhuar vazhdimisht material për publikun.

Ndonëse programi i unifikuar u ka ndihmuar ukrainasve në ditët e para të luftës, disa ekspertë frikësohen se ky sistem po kthehet në mjet për Zelenskyn, i cili mund të synojë edhe një mandat presidencial, pasi të përfundojë lufta dhe të mbahen zgjedhjet.

Megjithatë, Ukraina ka shënuar përparim më 2023 në renditjen vjetore për liri të mediave.

Organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, e ka renditur Ukrainën në vendin e 79-të, në krahasim me vendin e 106-të, sa ka qenë vitin paraprak.

Mirëpo duke pasur parasysh që kanalet televizive transmetojnë program të lidhur kryesisht me luftën, fusha e gazetarisë hulumtuese në Ukrainë ka mbetur në duart e portaleve si Bihus, duke rrezikuar mbijetesën në treg, ndonëse me qëllim të diskutimit mbi korrupsionin dhe të forcimit të demokracisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat