Bashkimi Evropian dhe më shumë se 40 vende bëjnë thirrje për hetimin e vdekjes së Navalny

Evropë

Bashkimi Evropian dhe më shumë se 40 vende bëjnë thirrje për hetimin e vdekjes së Navalny

Më: 4 mars 2024 Në ora: 15:54
Alexei Navalny

Të hënën më shumë se 40 vende i kanë përsëritur thirrjet për Rusinë që ta lejohet një hetim i pavarur ndërkombëtar për vdekjen e liderit opozitar rus në burg, Alexei Navalny.

Këtë thirrje e ka bërë ambasadorja e BE-së në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Lotte Knudsen, në emër të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 16 vendeve të tjera, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën.

“Ne jemi të zemëruar me vdekjen e politikanit rus, Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësinë kryesore e kanë presidenti Vladimir Putin dhe autoritetet ruse”, tha Knudsen.

“Rusia duhet patjetër të lejojë hetim të pavarur dhe transparent ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes së tij të papritur”, shtoi ajo.

Navalny, kritiku më i madh dhe i zëshëm i presidentit Putin brenda Rusisë, vdiq në moshën 47-vjeçare në një burg në Arktik më 16 shkurt, duke nxitur akuza nga mbështetësit e tij se ai është vrarë.

Kremlini e ka mohuar se ka gisht në vdekjen e liderit opozitar, i cili u varros të premten në Moskë.

Komiteti Hetues i Rusisë thotë se e ka nisur një hetim procedural për vdekjen e Navalnyt, ndërsa Kremlini ka thënë se nuk i përgjigjet kërkesave të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat