LIVE: “Lufta e Tretë ka filluar”, vjen paralajmërimi nga Ukraina: Që të mos marshojë drejt Perëndimit, ka vetëm një mënyrë për të ndaluar Putinin

Evropë

LIVE: “Lufta e Tretë ka filluar”, vjen paralajmërimi nga Ukraina: Që të mos marshojë drejt Perëndimit, ka vetëm një mënyrë për të ndaluar Putinin

Nga: Bota sot Më: 10 mars 2024 Në ora: 06:50 Përditësuar në ora: 16:59 më 10.03.2024
Foto ilustrim

Raportohet për sulm ukrainas ndaj një depoje nafte në Rusi

Guvernatori i rajonit jugperëndimor rus të Kurskut tha se një person është vrarë si pasojë e grantimeve ukrainase, duke shtuar se një zjarr shpërtheu në një depo nafte për shkak të një sulmi ukrainas me dron.

“Si rezultat i një goditjeje direkte me granatë, një ndërtesë banimi u përfshi nga zjarri dhe një grua lokale vdiq”, shkroi më 10 mars në Telegram, guvernatori Roman Starovoit. Ai shtoi se burri i viktimës ka pësuar djegie në shkallë të lartë dhe tani po merr trajtim mjekësor.

Starovoit më pas shkroi se “një dron ukrainas ra dhe shkaktoi zjarr në një depo nafte”.

close

volume_off

Kanali në Telegram SHOT raportoi se droni dëmtoi një cisternë të naftës me kapacitet prej 3.000 tonësh, por sugjeroi se cisterna ishte e zbrazur në momentin e sulmit.

Javën e kaluar, Starovoit pretendoi se një depo për ruajtjen e benzinës u përfshi nga flakët pas një sulmi ukrainas me dron. Dhe në shkurt u raportua se një zjarr i madh në një depo nafte afër Kurskut u shkaktua nga një sulm me dron i kryer nga Ukraina.

Guvernatori i rajonit të Belgorodit, pas raportimeve për sulmet në Kursk, raportoi se ky rajon ishte sulmuar nga dy dronë ukrainas.

Vyacheslav Gladkov tha se një makinë u përfshi nga flakët, por nuk u raportua për të lënduar. Në një postim të ndarë, ai tha se forcat ukrainase kishin goditur rajonin e Belgorodit, përfshirë me mortaja dhe dronë gjatë 24 orëve të fundit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dy dronë janë rrëzuar mbi rajonin e Belgorodit, por nuk raportoi për asnjë sulm me dron në rajonin e Kurskut.

Ushtria ukrainase, që kur Rusia nisi luftën kundër saj më 2022, nuk komenton pretendimet për sulme me dronë në territorin rus./REL

“Lufta e Tretë ka filluar”, paralajmërimi i zyrtares ukrainase: Që të mos marshojë drejt Perëndimit, ka vetëm një mënyrë për të ndaluar Putinin

Në një intervistë për The Sun, ish-zëvendëskryeministrja e Ukrainës ka deklaruar se tashmë Lufta e Tretë Botërore ka nisur.

Ivanna Klympush-Tsintsadze deklaroi ndër të tjera se çdo shpresë e Perëndimit për të negociuar për paqe me Rusinë është naive, dhe se perandoria e Putinit duhet të ndërpritet.

Sipas saj çdo bisedime paqeje me “despotin e çmendur”, do të rezultojë duke parë sesi Putin do të mbajë nën pushtetin e tij çdo pjesë të Ukrainës.

Ivanna thotë se e vetmja mënyrë se si Putin mund të mposhtet, është dobësimi dhe izolimi i Rusisë.

“Për Putinin, çdo lloj negocimi është ‘ma jepni tokën’. Ai nuk do ta kthejë atë. Çdo lloj marrëveshje paqeje është vetëm për të konfirmuar se ukrainasit nuk ekzistojnë. Për Putinin, ka të bëjë me nënshtrimin e vendit me forcë dhe rivizatimin e kufijve”, tha ajo.

Për Ivannën, rezultati i vetëm nga lufta në Ukrainë është që bota të bashkohet dhe “të mundë Federatën Ruse”.

“Unë me të vërtetë mendoj se bëhet fjalë për një Luftë të Tretë Botërore që tashmë ka nisur. Unë nuk e shoh terrenin ku saktësisht mund të negociojmë me Putinin për ndonjë pritshmëri që Putini do të respektonte në të vërtetë”, tha Ivanna.

“Çështja është se ju duhet të ofroni skenarë të ndryshëm dhe të mos keni frikë nëse Rusia… shpërbëhet. Që të fitojë Ukraina, Rusia duhet të dobësohet. Nuk ka të bëjë ekskluzivisht me fitoren e Ukrainës, çfarëdo që të thotë kjo. A janë duke u marrë masa, ose duke u marrë parasysh, që pas Ukrainës, Rusia nuk do të nisë  një luftë tjetër”, shtoi zyrtarja ukrainase.

Por Ivanna beson se Perëndimi dhe vendet anëtare të NATO-s kanë frikë se si do të dukej një Rusi e shpërbërë.

“Unë dyshoj se politika perëndimore është kaq e shqetësuar për shpërbërjen. Sepse, sigurisht, kjo do të thotë se një grumbull i tërë armësh bërthamore ndodhen atje. Pra, të gjithë janë shumë të frikësuar”, deklaroi ajo.

Ivanna paralajmëroi se izolimi dhe shkatërrimi i perandorisë së Putinit mund të jetë i vetmi shans për të shpëtuar Evropën nga Lufta e Tretë Botërore.

Shpërthim i fuqishëm në gazsjellësin rus – një “top i madh i zjarrtë” ngritet në qiell

Një shpërthim tejet i fuqishëm ka ndodhur në një gazsjellës të Rusisë – i dyti me radhë brenda dhjetë muajve.

Pamjet amatore shfaqin një “top të madh të zjarrtë” që ngritet në qiell në Yamburg Yelets.

Shkaku i shpërthimit është duke u hetuar, kurse ka ndodhur në kohën kur një sërë sulmesh me dron nga ukrainasit po kryhen mbi infrastrukturën energjetike të Rusisë/

Në anën tjetër, Kievi rrallë herë merr përgjegjësinë për sulme të tilla brenda territorit të Rusisë.

E ky shpërthim ka ndodhur në afërsi të fshatit Lykham në Khanty Mansi të rajonit të Siberisë.

Ky gazsjellës furnizon gadishullin Yamal dhe pjesët veriore të Siberisë dhe Rusisë. Deri më tani nuk raportohet për dëme.

Në janar, ukrainasit arritën që përmes flotës së dronëve të sulmojnë një rafineri nafte thellë brenda territorit të Rusisë.

SBU-ja ukrainase goditi rafinerinë e naftës që përdoret nga kompania ruse e naftës Rosneft në Tuapse, qytet ky në Detin e Zi jo larg territorit të Ukrainës.

 

Kryediplomati polak: Prania e NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme

Ministri i Jashtëm i Polonisë tha se prania e forcave të NATO-s në Ukrainë “nuk është e paimagjinueshme”, duke shtuar se vlerëson presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që nuk e ka përjashtuar këtë ide.

Radek Sikorski i bëri këto deklarata gjatë një diskutimi të mbajtur të premten me rastin e 25-vjetorit të anëtarësimit të Polonisë në NATO dhe Ministria e Jashtme i publikoi në X – që më herët njihej si Twitter – më vonë këto deklarata në gjuhën angleze.

Muajin e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mundësia që trupat perëndimore të dërgohen në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet. Kjo deklaratë nxiti reagime të udhëheqësve të tjerë.

Zyrtarët francezë më vonë tentuan të sqaronin deklaratën e Macronit dhe të minimizonin kritikat, por duke insistuar se ka nevojë të dërgohet një mesazh i qartë te Rusia se nuk mund të fitojë në luftën kundër Ukrainës.

Sikorski nuk foli për ndonjë plan për të dërguar trupat polake në Ukrainë, por kishte një qëndrim ndryshe nga kryeministri i tij.

“Prania e forcave të NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme”, tha ai, sipas Ministrisë së Jashtme të Polonisë. Ai tha se e vlerëson nismën e Macronit “sepse ka të bëjë me çështjen që Putini të frikësohet e jo ne të frikësohemi nga Putini”.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe kryeministri Tusk, do të udhëtojnë për në Uashington për një takim në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme. Udhëheqësit e Polonisë po shpresojnë që të bindin SHBA-në që të bëjë më shumë për të ndihmuar Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022.

Polonia është anëtare e NATO-s në krahun lindor të aleancës dhe gjendet në kufi me Ukrainën. Në të kaluarën, ky shtet ka qenë nën kontrollin rus dhe është rritur frika se nëse Rusia fiton në Ukrainë, shënjestra të radhës mund të jenë shtetet në rajonin që Moska e sheh si sferën e saj të interesit.

Rusia: Kemi shkatërruar rreth 50 dronë ukrainas

Rusia tha se ka shkatërruar 47 dronë ukrainas gjatë natës mbi rajonet e saj jugore, kryesisht në zonën e Rostovit, që gjendet në kufi me Ukrainën. Kievi rregullisht lëshon dronë në Rusi, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

“Sistemet e mbrojtjes ajrore penguan dhe shkatërruan mbi territorin e rajonit të Belgorodit një dron, dy dronë në rajonin e Kurskut, tre në atë të Volgogradit dhe 41 dronë mbi rajonin e Rostovit”, tha ushtria ruse përmes një postimi në rrjetet sociale më 9 mars.

Rajonin jugor i Rostovit është qendër për ushtrinë ruse dhe shërben për të planifikuar operacionet e saj ushtarake në Ukrainë. Guvernatori i Rostovit, Vasily Golubev, shkroi në rrjetet sociale se një sulm me dron goditi qytetin Taganrog, në Detin Azov, afër pjesës së Ukrainës të pushtuar nga rusët. Ai tha se një punëtor i shpëtimit është plagosur, por “nuk ka të vdekur”.

Në kanalet e mediave sociale, të afërta me ushtrinë ruse, u tha se Ukraina ka sulmuar një fabrikë për prodhimin e pajisjeve të aviacionit në Taganrog. Po ashtu, në mediat sociale ka pasur pretendime se është sulmuar edhe një bazë ajrore ushtrake në qytetin rustë Morozovskit.

Ndërkaq, autoritetet në rajonin Kursk, që gjendet më në veri dhe pranë kufirit me Ukrainën, thanë se një spital është dëmtuar në qytetin kryesor të Kurskut. Ky qytet gjendet afër 120 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Papa Françesku thirrje për paqe: Ai që gjen guximin të ngrejë flamurin e bardhë është më i fortë!

Papa Françesku ka deklaruar se Ukraina duhet të gjejë guximin dhe të ngrejë një “flamur të bardhë”duke negociuar me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.

Kreu i Vatikanit tha se në një konflikt, pala humbëse duhet të gjejë guximin ta pranojë disfatën dhe negociatat.

“Unë besoj se më i fortë është ai që e sheh situatën, ai që mendon për njerëzit, ai që ka guximin të ngrejë flamurin e bardhë dhe të negociojë”, tha Papa muajin e kaluar në një intervistë me transmetuesin publik zviceran RSI.

Në intervistë Papa shtoi se negociatat po zhvillohen me ndihmën e fuqive ndërkombëtare dhe se duhet pasur guxim për të negociuar, kur “gjërat shkojnë keq”.

Ai deklaroi se “ka shumë që duan të veprojnë si ndërmjetës, veçanërisht Turqia”. “Mos ki turp të negociosh përpara se situata të përkeqësohet”, tha Papa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat