Rusia sulmon Kievin me dhjetëra raketa

Evropë

Rusia sulmon Kievin me dhjetëra raketa

Më: 21 mars 2024 Në ora: 15:09
Ukrainë

Rusia hodhi 31 raketa mbi Kievin para agimit të së enjtes, në sulmin e parë në kryeqytetin ukrainas në 44 ditë, ndërsa mbrojtja ajrore, thanë zyrtarët ukrainas arriti t’i rrëzojë që të gjitha.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko, tha në rrjetin Telegram se fragmente raketash ranë në lagje të shumta të qytetit, duke dëmtuar ndërtesat e banimit dhe duke shkaktuar disa zjarre.

Ai tha se të paktën 10 veta janë plagosur, përfshirë një vajzë 11-vjeçare dhe një burrë 38-vjeçar që janë shtruar në spital.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e përnatshëm se vendi i tij ka nevojë për ndihmë ushtarake për mbrojtjen nga sulmet ruse me raketa.

Kharkivi ka nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore, rajoni Sumy ka nevojë për to, rajoni i Chernihivit dhe të gjitha rajonet tona që vuajnë nga terrori rus kanë nevojë për to”, tha presidenti Zelensky. "Partnerët tanë i kanë këto sisteme mbrojtëse. Dhe partnerët tanë duhet të kuptojnë se mbrojtja ajrore duhet të mbrojë jetë”.

Më herët të mërkurën, presidenti Zelensky priti Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, i cili qëndroi në Kiev në përpjekje për të siguruar ukrainasit se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe se pavarësisht një vonese në Kongres, miliarda dollarë ndihmash do të arrijnë në Ukrainë.

"Ne do t'i sjellim ato para ashtu siç duhet, kështu që nuk mendoj se duhet të flasim për planin B sot", tha zoti Sullivan ndonëse pohoi që procesi është "zgjatur shumë".

Zoti Sullivan u takua me shefin e kabinetit presidencial të Ukrainës Andriy Yermak. Ata diskutuan për nevojat e Ukrainës në fushën e betejës dhe dy takimet e ardhshme: atë të NATO-s në korrik në Uashington dhe një takim të paqes në Zvicër, që nuk është caktuar ende, por mund të ndodhë këtë pranverë. Zoti Yermak tha se Kina, një aleate e Rusisë, mund të marrë pjesë, por Ukraina nuk do ta ftojë Rusinë.

Klima e frikës

Në një raport të ri, zyra e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara tha se Rusia ka krijuar një klimë frike në zonat e Ukrainës, që i ka pushtuar.

Bazuar në më shumë se 2,300 intervista me viktimat dhe dëshmitarët, raporti tha se forcat e Moskës kanë imponuar përdorimin e gjuhës ruse dhe qeverisjen bazë ruse, duke shtypur çdo përpjekje për të shprehur kulturën dhe identitetin ukrainas.

Veprimet e Federatës Ruse kanë rrënuar strukturën shoqërore të komuniteteve dhe kanë lënë individë të izoluar, me pasoja të thella dhe afatgjata për shoqërinë ukrainase në tërësi”, tha Volker Türk, komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut.

Në raport thuhet se “autoritetet pushtuese bllokuan internetin dhe rrjetet celulare të Ukrainës, kanalet televizive dhe radiofonike, duke i detyruar njerëzit të përdorin rrjetet ruse, gjë që lejon kontrollin mbi informacionin e qasshëm në internet dhe pengon popullsinë të marr lirisht informacion nga burime të pavarura të lajmeve, familjet apo miqtë”.

*Disa pjesë të këtij materiali u morën nga agjencia e lajmeve Reuters/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat