​Bosnje e Hercegovina hap negociatat për anëtarësim në BE

Evropë

​Bosnje e Hercegovina hap negociatat për anëtarësim në BE

Më: 21 mars 2024 Në ora: 21:29
​Bosnje e Hercegovina hap negociatat për anëtarësim në BE

Në samitin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel u mor vendim që Bosnje e Hercegovina të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në bazë të rekomandimit të Komisionit Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka shkruar në rrjetin social X se Këshilli Evropian ka vendosur të hapë negociatat me Bosnje e Hercegovinën.

“Vendi juaj është në familjen evropiane. Vendimi i sotëm është një hap kyç përpara në rrugën tuaj drejt BE-së. Tani puna e vështirë duhet të vazhdojë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të përparojë, ashtu siç dëshiron populli juaj”, ka shkruar ai.

Javën e kaluar Komisioni Evropian publikoi një raport në të cilin konkludoi se Bosnja dhe Hercegovina (BeH) i plotëson mjaftueshëm kushtet për fillimin e rrugëtimit të gjatë drejt anëtarësimit në BE.

Në një takim në dhjetor 2023, liderët e vendeve të BE-së i dhanë "dritën jeshile" hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi këto vende morën hapat e rëndësishëm të identifikuar në raportin e KE-së për zgjerimin e 8 nëntorit 2023.

Udhëheqësit më pas shprehën gatishmërinë e tyre për të hapur negociatat e pranimit me BeH kur kriteret për anëtarësim të përmbushen në masën e kërkuar. BeH aplikoi për anëtarësim në BE në shkurt 2016 dhe iu dha statusi i kandidatit në dhjetor 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat