Turqia "konfirmon se Assadi ka përdorur armët kimike"

Evropë

Turqia "konfirmon se Assadi ka përdorur armët kimike"

Më: 6 prill 2017 Në ora: 11:29
Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Bekir Bozdag.

Turqia tha se rezultatet e autopsisë tregojnë se në një sulm në provincën Idlib të Sirisë janë përdorur armët kimike.

Sulmi, që ka ndodhur të hënën në qytetin Khan Sheikhoun, ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë dhe qindra të plagosur.

Agjencia turke e lajmeve Anadolu citoi ministrin turk të Drejtësisë, Bekir Bozdag, të ketë thënë se rezultatet e autopsisë së tri viktimave "konfirmojnë se (v.j. presidenti sirian, Bashar al-) Assad ka përdorur armë kimike".

Bozdag tha se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë marrë pjesë në autopsitë e kryera në Turqi.

OBSH nuk ka dalë ende me komente.

Aktivistët sirianë thanë se 86 njerëz janë vrarë në sulmin e 4 prillit.

Tridhjetedy të plagosur janë dërguar për trajtim mjekësor në Turqi dhe tre prej tyre më pas kanë vdekur.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë akuzuar regjimin e Assadit për kryerjen e sulmit.

Siria dhe aleatja e saj, Rusia, kanë fajësuar rebelët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat