Kroatët kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia, për kohën e kaluar në kampe - Bota Sot
Kroatët kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia, për kohën e kaluar në kampe

Evropë

Kroatët kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia, për kohën e kaluar në kampe

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 11:03
Vukovar Guzovski

Dragutin Guzovski ka paditur Republikën e Serbisë e kërkon dëshmpërblim për periudhën e qëndrimit në kampet serbe. Ai është zënë rob gjatë luftës në Kroaci e është dërguar në Serbi, ku është mbajtur në kushte çnjerëzore.

Dragutin Guzovski, i shënuar me numrin 2280 në arkivat serbe për të zënët robë nga Kroacia, ka nisur betejën për njohjen e persekutimit që ka përjetuar pas arrestimit në Vukovar në vitin 1991. Ai është mbajtur rob në kampet serbe më shumë se gjashtë muaj në Mitrovicën e Sremit. Pas një pritje të gjatë, ai së bashku me kryetarin e Shoqatës së të burgosurve në Zhupaninë e Vukovarit dhe Sremit, ka vendosur të nisë procesin kundër Serbisë.

"Unë dhe zoti Rehak (Danijel Rehak, kryetar i Shoqatës)kemi shkuar në të gjitha ministritë përkatëse", thotë Guzovski. Por pas një pritje tepër të gjatë, ai ka vendosur të angazhojë një avokat në Serbi dhe të kërkojë zyrtarisht nga Serbia që t'ia paguajë dëmshpërblimin për persekutimin gjatë luftës.

"Ky është vetëm rasti i parë. Ne të tre - unë, Antun Horvat dhe Sreqko Glamoçak - kemi vendosur të hedhim në gjyq Republikën e Serbisë", thotë Guzovski. Por ai beson se pas tyre do të ketë edhe shumë persona të tjerë që do të kërkojnë dëmshpërblime nga Serbia.

Image
Vukovar Guzovski

Trauma, rrahje, trajtim çnjerëzor

Guzovski beson se Serbia nuk do të futet në proces gjyqësor, por do t'u ofrojë një marrëveshje jashtë gjykatës. Ai ka frikë se mund të kalojë tepër kohë deri në vendimin përfundimtar. Guzuovski e pranon vet se askush që ka dalë nga kampet e Serbisë nuk ka vdekur si pasojë e moshës. Traumat, rrahjet dhe kushtet jonjerëzore në burgje kanë qenë shkaku më i shpeshtë i vdekjeve pas daljes nga burgjet serbe. Tri shkaqet kryesore të vdekjeve të personave që kanë qenë në kampet serbe janë - kanceri, hemoragjia cerebrale dhe infarkti.

Dragutini ka qenë në kampet e Serbisë gjashtë muaj e gjysmë. 126 ditë ka qenë i vetmuar në qeli, dyert e të cilës shpesh nuk janë hapur me ditë të tëra, thotë ai për DW. Para futjes në kamp është plagosur tre herë, ndërkohë që edhe sot ka pjesë metalike nga plumbat në trup. Nga kampi është lëshuar me shumë kocka të thyera nëpër të gjithë trupin. Në kampe i ka humbur 46 kilogram për disa muaj. Për të gjitha këto akuza ai ka edhe dëshmitë e mjekut.

Guzovski kërkon nga Serbia një dëmshpërblim në vlerë prej 6.480.000 dinarë, që do të thotë rreth 51.000 Euro. Për vet dëmshpërblimin thotë se paratë në fakt nuk i interesojnë fare, prandaj ka kërkuar këtë shumë kaq simbolike. Por Serbinë e ka hedhur në gjyq për katër shkaqe: Rrëmbimi i padrejtë i lirisë, deportimi dhe futje në kampe, sjellje johumane dhe jonjerëzore dhe shkelje e plotë e Konventës së Gjenevës.

Më e keqja për te është se në listën e Interpolit sipas fletarresteve të Serbisë gjenden edhe sot, 26 vjet pas përfundimit të luftës, emrat e personave që kanë qenë në kampet e Serbisë.

Image
Dëshmi të Vukovar Guzovskit, ish-rob lufte nga Vukovari

"Unë më shumë se 12 vite nuk kam mundur të dal nga vendi, ndonëse nuk jam në asnjë proces gjyqësor. Por nëse kërkoni në Google - "personat që kërkohen  nga policia" -  atëherë do të gjeni të gjithë emrat tanë. Nuk guxojmë askund të dalim", thotë Guzovski.

Padia e parë e këtij lloji

Serbia në një farë forme sikur po i mban të gjithë këta njerëz peng. Me muaj të tërë kanë vuajtur nëpër kampet e  Serbisë, e tani me vite të tëra nuk mund të lëvizin të lirë dhe të shkojnë në ndonjë vend të Bashkimit Evropian - që paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo është padia e parë e këtij lloji kundër Serbisë, sepse Mali i Zi e ka pranuar përgjegjësinë për kampin Morinje dhe ka paguar personat që kanë qenë në këtë kamp.

Njëra republikë e ish-shtetit të quajtur "Serbia dhe Mali i Zi" e ka pranuar fajin dhe ka paguar dëmshpërblimet. Ndaj këtë duhet ta bëjë edhe republika tjetër - pra Serbia, mendon Guzovski.

Vet ekzistenca e kampeve në Serbi është një fakt shumë rëndues për këtë vend fqinj. Shumë shtetas të Serbisë nuk janë të vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur në territorin e shtetit të tyre. Ndërkohë që çështja nuk ka lidhje vetëm me ndonjë proces juridik, por ka edhe sfond politik, në veçanti në momentin kur kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në një intervistë për DW thotë se Serbia është "vend absolutisht krenar dhe se ajo është përballur me të kaluarën".

Padi private

"Kemi heshtur me vite të tëra dhe më në fund është dashur ta nisim vet procedurën para gjykatave, sipas padive personale. Këto janë padi private", thotë Dragutin Guzovski.

"Vërtetimi për gjërat e konfiskuara përkohësisht", është një dokument, të cilin nga tregon Guzovski, me nënshkrimin e majorit Zoran Rangjeloviq, nga Komanda 33 e kampit të të burgosurve. Dokumenti ka vulë dhe nënshkrim.

Guzovski thotë se në këtë fatkeqësi të madhe ai ka pasur fat që e kanë dërguar në kampet e Serbisë. "Çfarë do të ndodhë me personat që janë mbajtur në kampet serbe në Knin, Glinë, Dalj, Nagoslavc... çfarë do të ndodhë me ta?", pyet ai, me shpjegimin se këta njerëz nuk do të kenë ndoshta fare shanse që të marrin çfarëdo dëmshpërblimi.

Minisria e Drejtësisë në Beograd njofton se kërkesa është në proces dhe se për këtë do të mbahen edhe seanca të posaçme gjyqësore. Mendohet se drejtësia serbe do të ofrojë një marrëveshje për këtë çështje. Për këtë çështje, DW ka kërkuar shpjegim edhe në Ministrinë kroate të Drejtësisë, por deri në përfundimin e këtij teksti nuk ka pasur ndonjë përgjigje./dw

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera