Zeneli afër marrëveshjes me Galatasaray

Futboll

Zeneli afër marrëveshjes me Galatasaray

Më: 6 janar 2019 Në ora: 10:28
Arbër Zeneli

Mediat turke shkruajnë se anësori i Kosovës, Arbër Zeneli, dhe Galatasaray janë në bisedime të vazhdueshme për kalimin e tij në Superligën turke, me trajnerin Fatih Termin që i ka kërkuar klubit ta transferojë menjëherë në janar.

Zeneli e bëri të qartë ditë më parë se dëshiron të largohet nga skuadra e tij holandeze, Heerenveen, për të luajtur në një ligë më të madhe evropiane.

Ai nuk dëshiron ta vazhdojë kontratën me klubin holandez, e cila i mbaron në fund të këtij sezoni. Zeneli, futbollisti më i mirë kosovar për vitin 2018, vlerësohet 6 milionë euro në tregun e transferimeve.

Së fundmi, ylli i ekipit kombëtar të Kosovës e refuzoi gjigantin tjetër turk, Fenerbahcen, duke thënë se dëshiron të luajë në një ligë më të fortë, me gjithë respektin për mesazhet që kishte marrë nga tifozët e klubit turk.

Por, sipas mediave lokale në Turqi, prapëseprapë Zeneli mund të përfundojë në Superligën turke, te kampioni në fuqi. Sipas tyre, Zeneli do t’i bashkohej Galatasarayt në verë si lojtar i lirë, por trajneri Fatih Terim ka kërkuar që ai të transferohet tani duke arritur marrëveshje me klubin e tij Heerenveen.

Galatasaray synon ta kompletojë transferimin e tij për një periudhë të shkurtër kohore.

Pasi i ndihmoi Kosovës të promovohet në Ligën C të Ligës së Kombeve duke ia siguruar po ashtu një vend në play-off për kualifikime në EURO 2020, Zeneli është duke bërë një sezon shumë të mirë edhe me klubin e tij holandez, për të cilin i ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar tetë asiste në 15 paraqitje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat