Përfundon takimi Trepça ’89-Vëllaznimi, ky ekip është në Superligë

Futboll

Përfundon takimi Trepça ’89-Vëllaznimi, ky ekip është në Superligë

Nga: Kemajl Goca Më: 1 qershor 2019 Në ora: 17:59
Pamje nga ndeshje e sotme

Trepça ’89 nga Mitrovica mbetet në Superligën e Kosovës, kurse Vëllaznimi nga Gjakova nuk ia doli që të rikthehet në shoqërinë e më të mirëve. Mitrovicasit triumfuan me rezultat 4:2 në duel me Vëllaznimin, në ndeshjen e barazhit që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Lojë me kthesa në rezultat dhe me 6 gola të realizuar. Në minutën e 13-të Assare gjendet shumë mirë dhe shënon për epërsinë 1:0 të mitrovicasve. Pas 12 minutave (26’) Tun Bardhoku për bukuri veproi dhe barazoi shifrat 1:1.

Në minutën e 44-të, një shok për Trepçën ’89 kur Almedin Murati e mposhti portierin mitrovicas, 1:2.  Pjesa e dytë interesante dhe me një Trepçë ’89 më të mirë, e cila edhe dy herë qëlloi shtyllën.

Në minutën e 54-të, Muharrem Jashari godet bukur por tërthorësja shpëtoi gjakovarët. Në minutën e 56-të, Arb Manaj barazon rezultatin 2:2, kurse Hasan Hyseni kalon në epërsi ’89-shin, me një gol të bukur pikërisht në minutën e 65-të.  Në minutën e 77-të, Hasan Hyseni i pafat, godet shtyllën pingule të Vëllaznimit.

Tre minuta pa përfunduar takimi (87’), zëvendësuesi Engjëll Hoti siguroi fitoren e Trepçës ’89 me rezultat 4:2. Në fund të sfidës Ylber Maloku u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë me një lojtar me pak mitrovicasit. Duhet theksuar se fundi i takimit ka qenë me tensione, sidomos gjakovarët nuk u pajtuan me disa vendime të gjyqtarëve. Trepça ’89 mbetet në elitë e Vëllaznimi vazhdon edhe edicionin e ardhshëm në Ligën e Parë të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat