Vojvoda: Jemi gati për të luftuar deri në minutën e fundit - Bota Sot
Vojvoda: Jemi gati për të luftuar deri në minutën e fundit

Futboll

Vojvoda: Jemi gati për të luftuar deri në minutën e fundit

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 23:44
Mërgim Vojvoda

Mërgim Vojvoda është plotësisht i gatshëm për njërën prej betejave më të rëndësishme të Kosovën në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen historike në Kampionatin Evropian të vitit 2020, tamam në tentimin e parë.

Kosova do të përballet me Republikën e Çekisë të enjten, pra nesër, në Plzen, duke e ditur se vetëm fitorja e mban në garë për ta bërë ëndrrën realitet dhe duke e ditur se firoja eventuale e vendasve do t’ia shuante përfundimisht shpresat për kualifikim përmes rrugës tradicionale.

Kombëtarja verdhekaltër mbërriti në Plzen sot në drekë dhe u stërvit pasdite për herë të parë dhe të fundit në fushën ku nesër do ta bëjë një betejë shumë të rëndësishme kundër çekëve.

Kosova e pret Anglinë në Prishtinë vetëm tri ditë më vonë, këtë të diele, dhe mund ta arrijë kualifikimin historik nëse e mund Çekinë dhe barazon me Anglinë, apo Çekia dështon të fitojë ndaj Bullgarisë në ndeshjen e fundit.

I gatshëm për këtë është mbrojtësi anësor i Standard Liege Vojvoda.

“Gati për të luftuar deri në minutën e fundit”, ka shkruar 24-vjeçari në llogarinë e vet personale në Instagram.

Lojtarët e Kombëtares dardane janë dukur në disponim të lartë dhe në mes tyre ka mbretëruar atmosferë fantastike gjatë grumbullimit, edhe pse gjatë kësaj kohe u konfirmuar se Vedat Muriqi dhe Herolind Shala nuk do të mundë të luajnë shkaku i lëndimeve.

Duhet thënë se Kosova do ta ketë edhe një mundësi të dytë për t’u kualifikuar në Evropian nëse dështon ta bëjë përmes rrugës tradicionale, pasi është në play-off të Ligës së Kombeve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat