Zidane kërkon revansh në Evropë

Futboll

Zidane kërkon revansh në Evropë

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 12:20
Zidane kërkon revansh në Evropë

Sot në 19:00 Reali i Madridit do të presë Shahtjorin e Donjetskut në ndeshjen e parë të vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Zidan po punon fort mbi aspektin psikologjik pasi skuadra duhet të dhurojë një paraqitje dinjitoze pas disfatës në kampionat kundër Kadizit.

Trajneri nuk bën përjashtime për askënd e ndaj askujt, teksa në konferencën e djeshme për mediat deklaroi: “Jemi të gjithë në të njëjtën varkë dhe pavarësisht se kritikat i pranojmë, duhet të vërtetojmë se jemi më të fortë se fjalët. Është normale që të na gjykojnë sepse jemi pjesë e një klubi si Reali dhe vijmë nga një paraqitje e dobët si ajo e fundjavës në kampionat”.

Pa kapitenin Ramos, “Los Blancos” do të duhet të bëjnë një ndeshje të kujdesshme në prapavijë për të mos përsëritur gabimet e ndeshjes së fundit në kampionat që u kushtuan tri pikë. Zidan nuk kërkon alibi dhe predikon përulësi dhe punë në një moment disi delikat në këtë fillim sezoni për ekipin e tij. “E vetmja gjë që mund të bëjmë në këto momente është që të punojmë me kokën ulur e të mendojmë për ndeshjen e radhës. Është diçka e mirë që luajmë çdo tri ditë pasi kemi mundësi të fshijmë menjëherë figurën e shëmtuar që bëmë ndaj Kadizit”, deklaroi gjatë fjalës së tij përpara mediave trajneri madrilen.

Teksa jep recetën për t’iu kthyer suksesit, Zidan merr përsipër të gjitha fajet për situatën rreth skuadrës së tij. Francezi pranon kritikat dhe merr përgjegjësitë e rastit, por njëkohësisht nuk pranon që mediat të fajësojnë lojtarët nëse Reali humbet ndonjë ndeshje. I vetëdijshëm se kritikat do të vijojnë edhe në rast se “Los Blancos” ndryshojnë ritëm e rikthehen te suksesi, Zizu shpjegon: “I meritojmë të gjitha kritikat e unë më shumë nga të gjithë.

Jam unë përgjegjës kur shkojnë gjërat keq dhe jo lojtarët sepse ata luftojnë në fushë, bëjnë më të mirën, por për fat të keq jo çdo gjë shkon mirë gjithmonë. Ndaj Shahtjorit do të mundohemi të ndryshojmë disi dinamikat tona, por jam i bindur se kritikat do të ekzistojnë edhe në rast fitoreje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat