Historia e frikshme e Diego Costa: Unë ulërija nga dhimbja, mjekja pinte cigare…

Futboll

Historia e frikshme e Diego Costa: Unë ulërija nga dhimbja, mjekja pinte cigare…

Më: 1 janar 2021 Në ora: 08:09
Diego Costa

Përpara kamerave të “ESPN Brazil”, sulmuesi spanjoll, Diego Costa, tregoi historinë e frikshme të përpjekjes së tij të dëshpëruar për të marrë pjesë në finalen e Ligës së Kampionëve, kundër  Real Madridit, në “Da Luz” të Lisbonës, më 24 maj 2014. Vetëm një javë më parë, “colchoneros” e kishin fituar për herë të dhjetë në histori kampionatin spanjoll, në “Camp Nou”.

Sidoqoftë, sulmuesi spanjollo-brazilian kishte pësuar një dëmtim në këmbën e djathtë. Rimëkëmbja në vetëm shtatë ditë ishte praktikisht e pamundur, por mundësia e madhe për të luajtur finalen e Ligës së Kampionëve nuk të jepet çdo ditë. Prandaj, sulmuesi vendosi të fluturojë për në Beograd, që të merrte shërbimet e mrekullueshme mjekësore të Marijana Kovacevic. Kjo e fundit, me kujdesin e saj inovativ, tashmë kishte rikuperuar në kohë rekord lojtarë të kalibrit të Lampard dhe Van Persie.

“Ky është një nga kujtimet më të këqija të karrierës time”, – dëshmon ish-lojtari i Chelsea. Metoda mjekësore, për të cilën u diskutua shumë, përfshinte masazhe me një rrotull të veçantë në zonën e dëmtuar, e cila së pari spërkatej me një xhel të marrë nga placenta e një pele. Pacienti, pastaj i nënshtrohet një fluksi të energjisë me frekuencë të lartë, e cila, sipas specialists serbe, ka aftësinë të përshpejtojë jashtëzakonisht rigjenerimin e indeve pa ndërhyrje invazive.

Sipas Diego Costa, megjithatë, gjërat nuk ishin ashtu si i priste: “Ai trajtim ishte një tronditje e vërtetë elektrike. Ndërsa unë vuaja nga dhimbjet e tmerrshme për dy orë, mjekja serbe pinte duhan e shkujdesur. Ishte shumë e vështirë dhe shumë e dhimbshme, një nga momentet më të trishtuara të karrierës time”. Sakrificë, e cila, për më tepër, rezultoi e padobishme. Costa, në të vërtetë, filloi si titullar në finalen e Lisbonës, por pas 9 minutash u detyrua t’ia linte vendin Adrian Lopez. Dhe Atletico Madrid humbi në kohën shtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat