Edhe Teuta në gjysmëfinale

Futboll

Edhe Teuta në gjysmëfinale

Më: 17 mars 2021 Në ora: 18:28
Edhe Teuta në gjysmëfinale

Teuta dhe Vllaznia i bashkohen Laçit e Skënderbeut në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi ia dolën të fitojnë me rezultatin minimal 1-0 ndeshjet përkatëse ndaj Kukësit e Korabit.

Skuadra e drejtuar nga Edi Martini iu fal një goli të Emiliano Vilës në minutën e 10’ të takimit dhe nxori verilindorët nga Kupa e Shqipërisë, por njëkohësisht u kompliki atyre edhe rrugën për një vend në zonën europiane.

Durrsakët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe gjetën golin e avantazhit që në minutën e 10’, kur pas një krosimi të Todorovskit, ishte “veterani” Emiliano Vila që kërceu e gjuajti saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Xhika.

Kukësi vijon ta marrë lehtë ndeshjen dhe Teuta i shkon pranë golit të dytë edhe me Bregun, por gjuajtja e tij shkoi jashtë, ndërsa më pas Krasniqi pati një tjetër mundësi shënimi, por nuk konkretizoi si duhet.

Rasti i parë për shënim për verilindorët e drejtuar nga Mirej Josa, u regjistrua në minutën e 33-të, kur Baravikas testoi aftësitë e Frashërit, ndërsa në fundin e pjesës së parë ishte sërish portieri i Teutës, që i mohoi një gol të sigurt sulmuesit të Kukësit, Patrick Eze.

Pjesa e dytë ishte me një ritëm më të ulët, kjo për meritë edhe të durrsakëve, që kërkonin të mbronin me çdo kusht avantazhin, ndërsa rastin më të mirë për të barazuar e pati sërish Eze në minutën e 57’, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Në minutën e 90’ Teuta pati mundësinë të mbyllë llogaritë, pas një kombinimi të bukur në sulm, por as Bregu dhe as Plaku nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë. Nga ana tjetër Kukësi provoi edhe në shtesë me Eze, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë dhe vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi fitoren 1-0 të durrsakëve.

Komplikohet plotësisht objektivi për një vend në zonën europiane për Kukësin, që i jep lamtumirën Kupës, por në të njëjtën kohë e sheh veten 10 pikë larg vendit të katërt në renditje, kur kanë mbetur edhe 12 ndeshje deri në fund.

Pas tensionit për shkak të rezultateve negative në kampionat, Vllaznia reagoi dhe fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Korabit, duke prerë biletën për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, megjithatë paraqitja e kuqebluve në “Loro Boriçi’ nuk ishte nga më të mirat.

Shkëndijën e parë e dhanë shkodranët në minutën e 12’, teksa pas një krosimi nga krahu, Dilaver goditi jashtë, i shqetësuar edhe nga shoku i tij i repartit Cisse. Vetëm dy minuta më vonë, provoi edhe Imeri me një gjuajtje nga distanca, por topi përfundoi jashtë kuadratit.

Goli ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 15’, teksa Arsid Kruja zhbllokoi sfidën me një goditje nga distanca. Isaevski krosoi në zonë, por topi u largua nga mbrojtja dibrane dhe shkoi në këmbët e Krujës, që gjuajti nga jashtë zone dhe e dërgoi në rrjetë, i ndihmuar edhe nga një devijim.

Shkodranët vijojnë të kërkojnë golin e dytë dhe në minutën e 22-të ishin dy sulmuesit Dilaver e Cisse që patën mundësi fantastike shënimi, por të dy tentativat e tyre u ndalën fillimisht nga një mbrojtës e më pas nga portieri dibran, Mëhidri.

Ky i fundit u tregua sërish vendimtar pak minuta më vonë, teksa pas një këmbënguljeje të gjatë të Adilit në zonë, topi shkoi te Gurishta, i cili gjuajti menjëherë me kokë, por gardiani dibran grushtoi mbi vijën fatale, duke dërguar topin në këndore.

Bën shumë pak Korabi në pjesën e parë, që shqetëson Zogovic vetëm me një gjuajtje nga distanca dhe një krosim të rrezikshëm, që gjithsesi nuk arrihet nga sulmuesi Taulant Marku, ndërsa skuadrat shkuan në dhomat zhveshjes me rezultatin minimal 1-0.

Pjesa e dytë ka një ritëm shumë më të ulët, me shkodranët që nuk arrijnë të shkojnë rrezikshëm në portën e Mëhidrit, ndërsa dibranët u shfaqën kërcënues me sulmuesin Skuka, i cili në dy aksione brenda pak minutash, bëri gjithçka mirë përveç goditjes.

Korabi pati mundësinë më të mirë për të befasuar edhe Vllazninë, pasi në minutën e 90’ Skuka fitoi duelin e shpejtësisë me Shehin dhe u nis i vetëm me portën, por në goditjen e parë u ndal nga Zogovic e në të dytën pa t’i largohej topi nga vija fatale, nga mbrojtësi Mevlan Adili, që shpëtoi kështu kuqeblutë.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi suksesin minimal 1-0 të shkodranëve, që rikthehen te suksesi dhe kalojnë në gjysmëfinale, ndërsa dibranët kthejnë vëmendjen nga kampionati, ku kanë synim ngjitjen në Superiore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat