Shqipëria U-17 për femra nis seleksionimet

Futboll

Shqipëria U-17 për femra nis seleksionimet

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 12:18
Shqipëria U-17 për femra nis seleksionimet

Shqipëria U-17 e femrave ka zhvilluar ditën e hënë në qendrën e ekipeve kombëtare në Kamëz një seleksionim me lojtare të datëlindjeve 2005-2006, të cilat aktivizohen në kampionatin shqiptar e që kanë qenë prej kohësh nën vëzhgimin e sektorit të Ekipeve Kombëtare në Federatën e Futbollit.

Në këtë seleksionim kanë qenë të pranishme rreth 65 vajza, të cilat janë ndjekur nga afër nga trajneri i ekipit Kombëtar U-17, Agustin Kola, trajneri i ekipit Kombëtar A, Armir Grima si dhe nga të tjerë zyrtarë të sektorit të ekipeve Kombëtare në FSHF.

Qëllimi i këtij seleksionimi është evidentimi i sa më shumë talenteve të kësaj grupmoshe, në mënyrë që të mund t’i shërbejnë ekipit Kombëtar U-17 e më pas edhe ekipeve U-19 dhe ekipit A në të ardhmen.

Nën vëzhgimin e trajnerëve, vajzat kanë zhvilluar ndeshje kontrolli, duke u aktivizuar që të gjitha, për të krijuar ide sa më të qarta për ndërtimin e grupit të së ardhmes.

Në një prononcim dhënë për fshf.org, trajneri i ekipit Kombëtar U-17, Agustin Kola u shpreh i kënaqur nga numri i madh i vajzave që ishin ditën e sotme pjesë e këtij seleksionimi.

“Sot kemi të pranishme në këtë seleksionim rreth 65 vajza, të datëlindjeve 2005-2006 dhe shohim me këtë seleksionim edhe se sa është zhvilluar futbolli i femrave në Shqipëri. Ne kemi pak që e kemi filluar futbollin e femrave dhe shohim një numër gjithnjë në rritje të vajzave në futboll”– u shpreh Kola.

Trajneri kuqezi theksoi se të gjitha vajzat që janë pjesë e këtij seleksionimi vijnë nga ekipet shqiptare, të cilat janë vëzhguar herë pas here nga trajnerët e ekipeve Kombëtare të femrave.

“Të gjitha vajzat e thirrura në këtë seleksionim janë nga kampionati shqiptar, pasi kampionati ka qenë i rregullt, si në kampionatin elitar, ashtu edhe tek kampionati Kombëtar i femrave U-15, që ka filluar këtë vit në Shqipëri. Ne i kemi parë gjatë ndeshjeve dhe i kemi vëzhguar tek ekipet e tyre dhe pak a shumë e dimë gjendjen e vajzave”– vazhdon Kola për fshf.org teksa shprehet se qëllimi është evidentimi i sa më shumë talenteve të reja. “Qëllimi i këtyre seleksionimeve është të evidentohen sa më shumë talente të reja, në mënyrë që t’i shërbejnë në të ardhmen ekipit të parë”- thotë trajneri.

Në fund ka edhe një koment për kampionatin e femrave, ku shprehet se ka parë më shumë rivalitet dhe më shumë vajza që luajnë futboll, falë strategjisë së FSHF-së për futbollin e femrave, si një ndër prioritetet kryesore të saj.
“Vllaznia e meriton, pasi ka vite që investohet në futbollin e femrave, por këtë vit kam parë më shumë organizim dhe më shumë rivalitet, me krijimin e skuadrave të reja si Tirana, Partizani. Ku ka masivitet, ka më shumë prurje dhe kjo është diçka shumë pozitive për ne”– përfundon Kola.

Edhe trajneri i ekipit Kombëtar A, Armir Grima shprehet i kënaqur nga numri i vajzave që ishin ditën e sotme pjesë e seleksionimit, duke e konsideruar si diçka shpresëdhënëse për futbollin e femrave në Shqipëri. Ai shprehet se pjesa më e madhe e vajzave janë prurje të reja dhe të gjitha prodhim i kampionatit shqiptar.

“Ajo që bie në sy në këtë seleksionim një ditor është numri i madh i vajzave që janë pjesë, që është shumë shpresëdhënëse. Strategjia që po ndjekim është ajo e të njohurit vajzat e reja që ne nuk i kemi pasur në seleksionimet e mëparshme dhe të qartësojmë idetë me vajzat që njohim. Kjo është një mundësi e mirë për të gjitha vajzat që të shihen dhe të testohen nga stafi ynë se sa të afta janë për të përfaqësuar vendin tonë në aktivitetet që kemi. Pjesa më e madhe e vajzave që janë sot në këtë seleksionim janë prurje të reja dhe baza është kampionati shqiptar, që nga kampionati i moshave e deri te kampionati elitë.”

Edhe Grima shprehet i kënaqur nga ky edicion i kampionatit të femrave në Shqipëri, duke vënë në dukje rritjen e cilësisë. “Mendoj që ka pasur më shumë rivalitet këtë sezon, cilësia po rritet dhe besoj se në kampionatin e ardhshëm do shohim më shumë spektakël se këtë vit– përfundon trajneri i Kombëtares A, Armir Grima.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat