Lewandowski tregon pse refuzoi Ramosin dhe Ronaldon

Futboll

Lewandowski tregon pse refuzoi Ramosin dhe Ronaldon

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 15:19
Lewandowski tregon pse refuzoi Ramosin dhe Ronaldon

Robert Lewandowski nderoi kujtimin e Gerd Muller, duke luajtur dhe shënuar në Superkupë kundër Dortmund. Golat e tij, siç ndodh shpesh, i kanë lejuar Bayernit të vazhdojë të fitojë trofe. Ky ishte i pari i epokës Nagelsmann, në vazhdën e atyre të “pushtuar” nga Flick.

Dhe të mendosh se, para se të fillonte cikli i jashtëzakonshëm i sukseseve, sulmuesi polak mendoi të largohej nga Bavaria. Nja dy sezone më parë “Lewa”, me pranimin e tij ishte shumë pranë Spanjës, pasi foli me dy rivalë, të cilët sot… nuk do të luanin me të.

RAMOS DHE RONALDO – Lewandowski “hapi barkun” disa kohë më parë për mikrofonët e “Football Daily”, emision i transmetuar në “Bbc Radio 5”. Gazetari Guillem Balagué i kërkoi polakut të konfirmojë atë që përflitet për bisedat e tij me Sergio Ramos dhe Cristiano Ronaldon, të cilat u zhvilluan disa sezone më parë në Ligën e Kampionëve.

“Të dy më thanë eja te Real Madridi! Duhet të luash për ne. Por kjo është normale. Nëse luan në një nivel të lartë, të gjithë thonë se mund të vish këtu ose të shkosh atje. E gjitha kjo nuk ka rëndësi për mua. Gjëja më e rëndësishme është ajo që dua të bëj, për atë vendos vetë”.

I VLERËSUAR – Siç është raportuar, Lewandowski është vlerësuar gjithmonë nga menaxhmenti i Realit, që nga koha e tij me Borussia Dortmund. Në vitin 2013, “Los Blancos” negociuan transferimin e sulmuesit polak me agjentin e tij të atëhershëm, Cezary Kucharski, por “Lewa” pati një marrëveshje me Bayernin. Sulmuesi, megjithatë, kurrë nuk i fshehu simpatitë e tij për Realin, por kur erdhi puna për të lënë Gjermaninë (Bayernin) ishte gjithmonë i vendosur të mos ndryshonte mjedis.

Në përgjithësi, në fund të ditës, ai kishte të drejtë. Vitet e fundit ka fituar shumë më tepër sesa Real Madridi: “Nëse luan në një nga klubet më të mirë në Europë dhe në botë, e di që mund të jesh i lumtur. Edhe unë jam i lumtur te Bayerni. Ajo që kemi krijuar këtu është një standard shumë i lartë futbolli”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat